Vlorë, sekuestrohen 450 kilogramë hashash

30/11/2011 10:45

450 kilogram hashash u kapën nga policia e Vlorës rreth orës 22 të së martës në pikën e kontrollit në Bunec.

Dy automjete nuk iu përgjigjën urdhërit të ndalimit dhe ndaj tyre nisi ndjekja.

Një mjet pa targa dhe një me targa britanike u gjendën të braktisura në fshatin Lukovë dhe në Shën Vasil.

Policia gjeti edhe një armë zjarri. Mendohej se droga do të dërgohej me gomone për në Greqi.

Ditën e djeshme edhe policia e qytetit të Gjirokastrës ka kryer një operacion kundër trafikut të kanabisit.

Sipas informacioneve të autoriteteve lokale, uniformat blu kanë sekuestruar 98 kilogramë drogë, si dhe kanë shpallur në kërkim transportuesin.

Sipas burimeve, droga është zbuluar në një automjet të drejtuar nga shtetasi me iniciale V.A, 26 vjec nga Këlcyra.

Gjithashtu, mësohet se përmes operacionit, të koduar me emrin “Ngrica 2” është shmangur trafikimi i sasisë së lëndës narkotike drejt Greqisë.

Ky operacion vjen pas atij të së hënës, të zhvilluar po në Gjirokastër, ku policia konfiskoi 75 kilogramë hashash dhe shpalli në kërkim 4 banorë të Lazaratit.

Personat në fjalë po transportonin sasinë e lëndës narkotike kur papritur panë patrullat e policisë të dalin para tyre.

Ata braktisën sasinë e drogës dhe u larguan në këmbë për në fshatin Lazarat, ku policia vazhdon të mos hyjë duke e trajtuar si një tjetër shtet.

Ndërsa më herët gjatë muajit, një person u arrestua po në qytetin jugor, sepse po transportonte një sasi të konsiderueshme droge me automjetin e tij. 

Top Channel