Tiranë, këshilltarët e PS-së: Bashkia e kunatit

30/11/2011 00:00

Kryetari i këshilltarëve socialistë në bashkinë e Tiranës, Aldrin
Dalipi, akuzoi sot kryetarin e bashkise Lulzim Basha, se po abuzon me
fondet publike në sherbim të interesave dhe përfitimeve financiare të
familjarëve të tij.

“Lulzim Basha vodhi hapur votat e Tiranës. Ai po vjedh hapur paratë e cdo qytetari të Tiranës. Bashkia e kryeqytetit cdo ditë po kthehet nga kryetari i emëruar i asaj, në një vatër dramatike të korrupsionit të familjes së tij. Tashmë kjo quhet më te drejtë nga qytetarët dhe mediat, bashkia e Kunatit, Një kompani e familjarëve të tij, e krijuar vetëm në muajin nëntor, përfitoi miliona lekë që shkuan drejtpërdrejt në përfitim të familjes së tij. Fondet për dekorin e festës së Pavarësisë shkuan direkt në kompanitë private të familjes.

Miliona lekë të nxjerra nga xhepat e qytetarëve të Tiranës bëhen gati të shkojnë në xhepat e familjes së Bashës në festat e fundvitit, përmes ngritjes së një fshati në qendër të kryeqytetit në rrugën “Murat Toptani”. Të njëjtat kompani të familjes do të marrin sërish fondet e kryeqytetit, ku prania e sekserit kunat është kudo, me e-mail apo e-mail, fizikisht apo në forma të tjera të hapura, duke vënë në pozita presioni bizneset që ndodhen në vështirësi financiare dhe nuk mund të paguajnë për xhepat e kryetarit të emëruar të bashkisë, apo kudo rreth tij”, tha Dalipi.

Bashkia e Tiranës: PS, akuza absurde

Pas akuzave të opozitës dhe daljes në media të disa dokumentave për tenderin e dekorimit të Tiranës dhe për aktivitetet e festive të fundvitit, ka reaguar edhe bashkia e Tiranës.

Në një deklaratë të lëshuar pasdite nga zëdhënësja e bashkisë thuhet se, “Bashkia falenderon qindra mijë qytetarë të Tiranës, Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë trojeve shqiptare, burra dhe gra, të rinj dhe të moshuar pa dallim bindjesh politike, që u bashkuan në Tiranë për të festuar si kurrë më parë ditën më të rendësishme të historisë tonë kombëtare”.

Bashkia ka akuzuar kreun e opozitës, duke e sulmuar se po prish festën dhe i ka cilësuar akuzat si absurde dhe shpifje. Bashkia ka lajmëruar se do të padisë kreun e këshilltarëve socialistë, ndërsa shtoi se akuzat nuk do të pengojnë përgatitjet për festat e fundvitit.

Top Channel