Endri Xhafo – Saranda është në rrezik! Javën e shkuar, Stefan Çipa kishte një hije të
rëndë kur e thoshte këtë; dëshpërimi i tij dukej i sinqertë.

Sinqeriteti i tij gjen konfirmim nga raportimet e pavarura mediatike, që gjatë viteve të fundit kanë denoncuar gjendjen e degraduar urbane të Sarandës. Por, ajo që është e paprecedent këtë herë, është pohimi se Stefan Çipa ndihet i pafuqishëm si… kryetar bashkie!

Një vështrim i shpejtë i fakteve, hedh dritë mbi arsyet e këtij pohimi.

Stefan Çipa u zgjodh kryetar bashkie i Sarandës në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Gjëja e parë që bëri, ishte shpallja e një moratoriumi për ndërtimet. Kurse më 31 gusht zhvilloi një takim të madh me ndërtuesit. Shumë syresh e kishin kuptuar moratoriumin të lidhur me sezonin turistik. Por administrata e re e bashkisë kishte ndërmend të kontrollonte të gjitha lejet e ndërtimit të dhëna në periudhën përpara zgjedhjeve. Që nga dhjetori 2010 e deri në mars 2011, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Sarandës ishte mbledhur tri herë, periodicitet që nuk e kishte pasur as në dy vitet e fundit të mbledhura bashkë.

Kontrolli ka nxjerrë mjaft leje të dyshimta. Kryetari i ri i bashkisë flet për “leje ndërtimi elektorale”. Përveç kësaj, kryebashkiaku Çipa bën një akuzë edhe më të fortë: Sipas tij, pasi është mësuar rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në Sarandë, është ndërhyrë mes rreshtash në protokoll. Këto leje ndërtimi mbajnë numra protokolli me fraksion, p.sh. 4/1. Ka raste që KRRT ka vendosur për godina 6-katëshe, kurse leja e ndërtimit është për 7.

Një rast flagrant, sipas bashkisë, është një ndërtim në lagjen 4, me një koeficient 100%, që në gjuhën e ndërtimit nënkupton një godinë me sipërfaqe sa krejt trualli. Por në atë zonë, thotë kryebashkiaku Çipa, plani urbanistik parashikon lulishte. Po ashtu, dy ndërtime disakatëshe po bëhen mbi zonën arkeologjike, një zonë e kategorisë A. Përgjigjja zyrtare që i ka ardhur bashkisë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës është negative, pra ndërtuesit nuk kanë leje nga ky institut për të ndërtuar aty.

Në këto kushte, kryebashkiaku Çipa ka depozituar padi penale në Prokurori. Po ashtu, ka bllokuar të gjitha ato leje ndërtimi që në gjykimin e tij janë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin. Por ndërtuesit kanë gjetur një aleat në Gjykatën e Sarandës, që me disa vendime ka hedhur poshtë pezullimet e bashkisë. Në këto raste, gjykata ka thënë se do të shprehet pas gjykimit të çështjeve në themel. Mirëpo ajo që kryetari i bashkisë i ndruhet, është se, edhe nëse gjykata, në një moment të mëvonshëm, i jep të drejtë bashkisë, objektet deri atëherë do të jenë ndërtuar dhe prishja e tyre do të bëhet kësisoj e pamundur.

Saranda është një qytet bregdetar, që qeveria e mëparshme, kur hartoi strategjinë e turizmit, e pa si zonë për turizëm elitar. Por ishte pikërisht nën qeverinë e Fatos Nanos që një godinë njëzet e ca-katëshe u lejua të ndërtohet bash në qendër të Sarandës, te stacioni i autobusëve. Nuk ka sarandjot sot që të mos i pikojë zemra, tek sheh atë kullë në mes të qytetit. Plani urbanistik u miratua vetëm në vitin 2004, prej Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës. Por plani, formalisht në fuqi, nuk u shoqërua asnjëherë me një rregullore, që do të bënte të mundur zbatimin e tij. Sot, plani urbanistik mund të konsiderohet de facto i rënë.

Megjithatë, Stefan Çipa kërkon të shpëtojë ç’të mundë, nisur nga ai plan. Edhe më skeptikët për sinqeritetin e tij, duhet të pranojnë se ka një arsye tepër pragmatiste që e bën kryetarin e ri të kërkojë zbatimin e planit. Stefan Çipa erdhi në krye të Sarandës, kur mes njerëzve u rrit pakënaqësia ndaj Edmond Gjokës. Eksperienca e dështuar e paraardhësit, mesa duket e ka bërë kryebashkiakun të ndërgjegjshëm se rizgjedhja do të vijë nga aleanca me qytetarët dhe jo me ndërtuesit.

Mirëpo qëndrimet e qytetarëve shpesh janë radikale. Autoktonët kujtojnë me nostalgji qytetin e shkallëve dhe të bukovileve, shkallë që i mungojnë sot qytetit për të lidhur p.sh. rrugën e 4-t me rrugën e 5-t.

Por as zhvillimi i qytetit nuk mund të injorohet. Për rrjedhojë, ndërtimet nuk mund të ndalen dhe as tregu imobiliar të bllokohet. Ndoshta ka ende kohë të shtrohet pyetja se çfarë fizionomie do t’i jepet qytetit? Godina jo shumë të larta, si Korfuzi përballë, apo kulla disakatëshe, si Monako? Kjo mund të jetë objekt reflektimi i një plani të ardhshëm urbanistik. Sot, ajo që konsiderohet abuzim në Sarandë, është mosrespektimi i kritereve të vendosura me ligj, i distancave mes pallateve apo i kateve, që bën të rrinë pranë e pranë godina 5+1 kat (papafingo) dhe 9+1. Ndërkohë që vendet e parashikuara për lulishte, zihen me godina, të cilat janë ndërtuar edhe në vijën e parë, buzë detit.

Kur Stefan Çipa u zgjodh kryetar bashkie (me rezultat të thellë), pati zëra, edhe brenda vetë Partisë Socialiste, që thanë se ai është një burrë i mirë, por që nuk do të bëjë ndonjë gjë të madhe për qytetin. Gjendja e degraduar e Sarandës ndër vite, kërkonte dikë të vendosur, jo thjesht një njeri që, kur ishte deputet, nuk linte qokë pa bërë, vdekje apo gëzim. Por me veprimet e tij të deritanishme, Stefan Çipa po tregon se përveç se një qokatar i madh, ai di të jetë edhe një kryebashkiak i vendosur. Por çështja nuk qëndron tek ai, por te qyteti. Ksamili aty afër, një “Bathore me det”, të fut mornicat në trup, kur kujton se si është katandisur. Ndaj, që kryetari i Bashkisë së Sarandës të mos i ngjajë një Don Kishoti (jo për faj të tij), lipset ndërhyrja edhe e instancave të tjera.

Në një thirrje prekëse, Stefan Çipa tha javën e shkuar se i ka njoftuar të tërë, Presidentin (që vetëm vitin e fundit e ka vizituar dy herë Sarandën), Kryeministrin (që e ka përuruar vetë rrugën hyrëse të qytetit dhe ka treguar, si në rastin e Komunës Xarrë, se nuk e ka problem të bashkëpunojë me një të zgjedhur socialist), Prokuroren e Përgjithshme, zëvendëskryetarin e KLD-së apo kryetarin e KLSH-së. Parashikimi i zotit Çipa është pesimist: nëse nuk e ndihmojnë t’i vërë një fre masakrës urbane në Sarandë, qyteti për dy vjet do të reshtë së qenë turistik. Të paktën kësaj radhe, askush nuk mund të thotë, se nuk e dinte.

Gazeta “Shqip”

Top Channel