Eurozonë, papunësia rritet në 10,3%

30/11/2011 20:00

Papunësia në Eurozonë u rrit përsëri gjatë tetorit, duke arritur normën e 10,3% të personave të aftë për punë dhe që janë në kërkim të një punësimi, u mësua në raportin e publikuar gjatë ditës së mërkurë.

“Armata” e të papunëve është rritur me 126 mijë persona që prej shtatorit, duke shkuar në një total prej 16,3 milion europianësh. Vendet me ndryshimet më të mëdha të normës së papunësisë që prej shtatorit ishin Gjermania, ku kjo normë ra nga 5,7, në 5,5%. Në aspektin negativ, papunësia në Spanjë u rrit në 22,8% ose 0,3% më shumë se muaji paraardhës. Papunësia e të rinjve në vendin iberik është edhe më shqetësues, me 48,9% të sapodiplomuarve që nuk arrijnë të punësohen.

Në një vlerësim paralel nga “Eurostati”, tregohet se norma e inflacionit të euros mbetet e pandryshuar në 3% edhe gjatë nëntorit. Më parë gjatë muajit, Banka Qëndore Europiane reduktoi normën bazë të interesit në 1,25% nga 1,5%. Sipas parashikimit të bankave, inflacioni në Eurozonë do të reduktohet me 2% deri vitin e ardhshëm.

Top Channel