Gjirokastër, tjetër konfiskim droge

29/11/2011 09:30

Policia e qytetit të Gjirokastrës ka kryer në orët e para të mëngjesit të së martës një operacion kundër trafikut të kanabisit.

Sipas informacioneve të autoriteteve lokale, uniformat blu kanë sekuestruar 98 kilogramë drogë, si dhe kanë shpallur në kërkim transportuesin.

Sipas burimeve, droga është zbuluar në një automjet të drejtuar nga shtetasi me iniciale V.A, 26 vjec nga Këlcyra.

Gjithashtu, mësohet se përmes operacionit, të koduar me emrin “Ngrica 2” është shmangur trafikimi i sasisë së lëndës narkotike drejt Greqisë.

Operacioni i sotëm vjen pas atij të së hënës, të zhvilluar po në Gjirokastër, ku policia konfiskoi 75 kilogramë hashash dhe shpalli në kërkim 4 banorë të Lazaratit.

Personat në fjalë po transportonin sasinë e lëndës narkotike kur papritur panë patrullat e policisë të dalin para tyre.

Ata braktisën sasinë e drogës dhe u larguan në këmbë për në fshatin Lazarat, ku policia vazhdon të mos hyjë duke e trajtuar si një tjetër shtet.

Ndërsa më herët gjatë muajit, një person u arrestua po në qytetin jugor, sepse po transportonte një sasi të konsiderueshme droge me automjetin e tij.

Policia e Gjirokastrës ishte njoftuar se në fshatin Lazarat, një automjet me targa italiane ishte furnizuar me lëndë narkotike të tipit hashash, për ta transportuar më pas për në Tiranë. Policia e ndaloi automjetin në dalje të Gjirokastrës dhe në një nga sediljet e saj gjeti drogën e paketuar.

Prej kohësh policia njofton se kap drogë që del nga Lazarati, por deri më sot nuk ka ndërmarrë ndonjë aksion për të hyrë në këtë fshat dhe për të penguar njëherë e mirë tregtinë e vazhdueshme të drogës.

Top Channel