Tirana në festën e Pavarësisë

27/11/2011 00:00

Më 28 nëntor i gjithë kryeqyteti do të pushtohet nga një varg aktivitetesh kushtuar 99 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Në rrugën pedonale do të hapet edhe panairi i produkteve shqiptare, me moton “Bli shqip”.

Ndërsa Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave.

“Fëmijët do të jenë një pjesë e rëndësishme e festimeve më 28 Nëntor. Në Parkun Rinia trupa e cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e Cirkut”. Teatri “Metropol” do të luajë një pjesë për fëmijët në terren të hapur. Vogëlushët që ndjekin kurse artistike pranë qendrës “Ten” do të performojnë një kolazh këngësh dhe vallesh popullore. Në bashkëpunim me Liceun Artistik do të realizohet një ekspozim picture interactive me temë “Shqipëria Ime”, deklaroi Anila Bisha, zëdhënëse e Bashkisë Tiranë.

Mbrëmja do të mbyllet me koncertin e madh që do të nisë në orën 18.00 në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë disa nga këngëtarët më të njohur shqiptarë.

Top Channel