Filtri i lëvizjes së lirë

27/11/2011 00:00

Që prej ditës kur për shqiptarët u hap drita jeshile për të lëvizur të lirë në zonën Shengen, në pikat e kalimit kufitar janë regjistrtuar afro 4 milionë hyrje-dalje me pasaportë biometrike.

Por, gjatë të njëjtës periudhë nuk kanë patur të njëjtin fat ata shtetas të cilët kanë qenë rezidentë në vendet e BE dhe janë të regjistruar si persona me probleme për drejtësinë e këtij shteti. Ka mes tyre edhe qytetarë që nuk kanë patur shumën e kërkuar të valutës.

“Janë gjithsej 16 mijë e 176 shtetas, prej tyre 10 mijë e 906 janë përjashtuar më parë nga hapësira Shengen, 3 mijë e 33 persona nuk kanë deklaruar të ardhurat e duhura monetare, ndërkohë që 2239 nuk ia kanë dalë mbanë të bindin punonjësin në kufi. Shifra e fundit tregon se ka patur një fushatë të mirë sensibilizuese dhe numri i tyre është i ulët, pra i atyre që nuk kanë informacion” thekson Pëllumb Nako, zv/drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Sipas zotit Nako, Policia e Shtetit ka nisur monitorimin e situatës për të gjithë ata qytetarë që nuk respektojnë periudhën e 90-ditëshit qëndrim në një shtet të zonës Shengen.

“Këta persona nuk e kalojnë numrin 200. Numri më i madh i këtyre personave vjen nga Greqia dhe është rast specifik sepse janë persona nga zonat kufitare me Greqinë që gjejnë punë dhe nuk respektojnë rregullat, por me vendet e tjera europiane nuk ka probleme të tilla”, sqaron Nako.

Për ta shpjeguar situatën e daljeve për qëllime migrimi zoti Nako sjell një shembull më të fundit: “Ishin një grup të rinjsh që thanë se do iknin në Belgjikë për turizëm, por ata kishin sterlina me vete dhe jo euro.  Kur ne këmbëngulëm për shkak të dyshimeve se sterlina është në Angli doli që ata ishin për në Mbretërinë e Bashkuar për qëllime migrimi.”

Top Channel