Buxheti që i humbet emrin koalicionit

27/11/2011 00:00

Marko Bello – Dy vjet më parë, koalicioni që qeveris vendin u pagëzua nga Sali Berisha si koalicioni i integrimit. Sot, për të dytin vit radhazi, kemi dështuar tërësisht në përpjekjet për t’iu afruar Europës, duke mos arritur të fitojmë statusin e vendit kandidat.

Përtej akuzave bajate se shkaktare na paska qenë gjoja opozita, e cila nuk votoi në kohë disa ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, opinioni publik e ka më se të qartë se shkaku kryesor qëndron tek Qeveria, e cila nuk arriti të plotësonte asnjë prej 12 kritereve të përcaktuara nga ana e Komisionit Europian.

Tejet shqetësues është fakti se edhe në këtë projektbuxhet, qeveria nuk ka parashikuar fonde të mjaftueshme për të adresuar disa nga çështjet kryesore që lidhen edhe me kushtet e sipërpërmendura. Është fjala për prioritetin 6, që lidhet me administratën publike, prioritetin 7, mbi drejtësinë; prioritetin 10, mbi pronat; prioritetin 12, mbi burgjet dhe vetë rolin e Ministrisë së Integrimit në këtë proces.

Ajo që mund të thuhet është se, projektbuxheti 2012 ka ruajtur në disa raste të njëjtin nivel financimesh për programet apo institucionet që reflektojnë disa prej prioriteteve integruese të vendit. Por, disa aspekte të rëndësishme të prioriteteve të shqyrtuara pësojnë ulje, siç është rasti i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i regjistrimit dhe kompensimit të pronave apo i administratës publike, ku vihen re rënie të treguesve financiare. Ky fakt shoqërohet me riskun e rishikimit të këtyre fondeve në mesin e vitit 2012, i cili përgjithësisht rezulton në ulje të financimit. Edhe mbështetja institucionale për integrimin, program ky nën menaxhimin e Ministrisë së Integrimit, pëson një rënie prej 7.55% në projektbuxhet, krahasuar me buxhetin e vitit 2011.

Pa dashur të hyj në hollësira për të gjitha kriteret, do të ndalesha vetëm tek problemi i kthimit dhe kompensimit të pronave, pronarëve të ligjshëm. Projektbuxheti i vitit 2012 ul të ardhurat që priten të arkëtohen në fondin për kompensimin e pronarëve, krahasuar me 2010 dhe i pritshmi 2011. Bie në sy që në vitet 2010 dhe 2011, qeveria nuk u ka dhënë pronarëve 11 milionë dollarë që janë mbledhur në fondin e ngritur posaçërisht për ta. Kjo sjellje bie ndesh edhe me kriteret e vendosura nga BE-ja për të marrë statusin e vendit kandidat. Por, jo vetëm kaq. Me pronarët qeveria sillet me dy fytyra, me dy standarde dhe me gjithë demagogjinë e saj, nuk fsheh dot faktin se ajo nuk ka kurrfarë dëshire ta zgjidhë njëherë e mirë çështjen e pronës.

Së pari, ka zvarritje të qëllimshme nga ana e administratës, e cila manifeston antipati të hapur ndaj pronarëve dhe duket se është udhëzuar që “t’ua nxijë jetën” atyre, duke kërkuar e stërkërkuar rifreskim të dokumenteve të depozituara, dhe lloj-lloj shkresash e shkresurinash, vetëm e vetëm që t’i mërzisë, vonojë dhe dekurajojë ata.

Së dyti, ka terr informativ dhe mungesë të theksuar transparence, lidhur me kompensimin fizik. Në situatën e krizës ekonomike dhe financiare si dhe në mungesë të fondeve financiare, kompensimi fizik do të ishte një ndër rrugët e realizueshme dhe më të përshtatshme, pa i hyrë në hak edhe shoqërisë, e cila do të mbante mbi supe këtë barrë të rëndë financiare. Për fat të keq, qeveria, edhe ato pak toka të lira që ka nën administrim, preferon më mirë t’ua japë me 1 euro klientëve të saj, se sa pronarëve të ligjshëm.

Së treti, edhe procesi i kompensimit financiar, i cili ka qenë disi më transparent dhe korrekt, sa i përket përzgjedhjes së pronarëve, në bazë të vendimeve të dhëna në vite, përbën problem në lidhje me mënyrën se si realizohet vlerësimi i truallit. Ka diferenca të mëdha për vlerësimin e truallit nga njëra zonë në tjetrën, edhe pse janë kufitare. Ka mjaft raste kur për dy troje ngjitur në Tirane, diferenca në çmim është me herë (njëra 37 mijë lekë m2, tjetra, ajo për “miqtë” deri në 160 mijë lekë m2).

Së katërti, shteti i takson qytetarët për transaksionet me pronat, me çmime më të larta, ndërsa i kompenson financiarisht me çmime më të ulëta, pasi Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) operon me harta të tjera nga ato që përdor Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), dhe sigurisht, edhe me çmime të tjera, a thua se bëhet fjalë për agjenci të dy shteteve të ndryshme.

Së pesti, procesi i legalizimit të pronave ish-pronarëve ka legalizuar pronën e uzurpuar, ndërsa pronarit shteti akoma nuk ia ka arkëtuar paratë që ka inkasuar prej atyre që kanë paguar për legalizimin. Në disa raste është dhënë një këst, në ndonjë rast tjetër vetëm 40% e vlerës.

Së fundi, për fat të keq, nuk është vetëm qeveria dhe agjencitë nën vartësinë e saj ato që sillen në këtë mënyrë me pronarët. Të njëjtin qëndrim refraktar dhe arrogant mbajnë edhe disa gjyqtarë, të cilët, dashur ose pa dashur reflektojnë urrejtjen e dikurshme klasore, njëlloj si atëherë kur jepnin vendime anti-demokratike dhe anti-europiane.

Është për këtë arsye që Partia Socialiste, më në fund iu rikthye seriozisht kësaj çështjeje, duke parashikuar në programin e saj alternativë se, me të ardhur në pushtet, do ta adresojë njëherë e mirë problemin e pazgjidhur të pronave, jo thjesht për të riparuar një padrejtësi, por edhe si detyrim për t’u përmbushur në kontekstin e proceseve integruese në Bashkimin Europian.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel