Rriten eksportet me Kosovën

26/11/2011 20:25

Bllokada tregtare e verës mes Serbisë dhe Kosovës ka krijuar mundësi përfitimi për biznesin shqiptar duke gjallëruar tregtinë mes dy vendeve.

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se eksportet shqiptare drejt Kosovës po rriten me ritme të larta nga muaji në muaj.

Sipas të dhënave të INSTAT, deri në fund të dhjetëmujorit Shqipëria shiti në tregun kosovar 102 milionë dollarë mallra, ose 38.7 për qind më shumë krahasuar më të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje është dukshëm më e lartë nga rritja e eksporteve drejt vendeve të tjera. Të dhënat tregojnë se sërish pesha e eksporteve drejt Kosovës mbetet ende e vogël, rreth 7 për qind e totalit.

Por, muajt e fundit kjo peshë po vjen në rritje. Shifrat tregojnë se që pas korrikut, kur lindi dhe konflikti tregtar mes Serbisë dhe Kosovës, rritja e eksporteve është përshpejtuar.

Në gusht dhe shtator rritja ishte mbi 55 për qind, ndërsa në tetor arriti shifrën më të lartë me 71 për qind.

Shumë studime tregojnë se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë të qëndrueshme në kohë dhe të vështira për t’u përmbysur.

Në Kosovë, Serbia vazhdonte deri para pak muajsh të ishte eksportuesi i dytë më i madh, pavarësisht konfliktit shumëvjecar mes dy vendeve që kulmoi më ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

Ndaj, ekspertët thonë se konflikti tregtar mes dy vendeve mund të ketë qenë një rast historik për krijimin e lidhjeve ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës drejt projektit të tregut panshqiptar.

Top Channel