Ligji për KESH-in rrezikon shtyrjen

25/11/2011 08:10

Rishikimi i ligjit që përcakton kategorinë e klientëve të kualifikuar për konsum energjie është debatuar shumë kohët e fundit, pasi biznesi e ka kundërshtuar për shkaqe financiare.

Siç shkruan e përditshmja “Shqip” ditën e premte, subjektet, kryesisht industritë, preken direkt nga ligji, pasi do të duhet ta sigurojnë vetë furnizimin me drita dhe jo ta marrin te KESH, me çmim më të ulët, sikurse veprohet aktualisht.

“Unë jam i sigurt që nga grupet e interesit, pavarësisht dakordësisë me këtë ligj, të ketë edhe kërkesa për shtyrje afatesh. Por, shtyrja e miratimit të këtij ligji, jo vetëm do të jetë në dëm të kompanisë KESH, por do të vazhdojë të rëndojë edhe mbi konsumatorët shqiptarë, sepse sa më shumë të shtyhet miratimi i ligjit, aq më shumë do të vazhdojë konsumatori shqiptar të paguajë faturat energjetike”, tha Ministris i METE-s, Nasip Naço, duke nënkuptuar se zgjidhja e shumëpritur mund të mos jetë e afërt.

Me ligjin e ri, “klient i kualifikuar” do të konsiderohet automatikisht çdo konsumator i energjisë elektrike, i lidhur në rrjetin e energjisë me tension 110 kV e sipër, si dhe çdo konsumator tjetër i energjisë elektrike që, pavarësisht nivelit të tensionit të rrjetit të energjisë elektrike në të cilin është lidhur, ka një konsum vjetor të energjisë elektrike më të madh se 50 milionë kilovat.

Top Channel