Kryeministri Sali Berisha dhe deputeti socialist Ben Blushi kanë shkëmbyer akuza dhe batuta ironike në Kuvend gjatë diskutimit të buxhetit.

Pika e parë e debatit ishte ajo e granteve që qeveria jep për pushtetin vendor dhe autonomisë fiskale që kanë bashkitë dhe komunat.

“E di si u përdor diskrecioni, që kryetari i bashkisë të tatonte vetëm për emrin. E vije ti aty shitorja “Blushi”? Do paguaje 900 mijë lekë vetëm për tabelën me emrin tënd”, iu drejtua Berisha-Blushit.

“Që ta dish zotëri, se nuk e ke mësuar, taksa për biznesin e vogël ka diskrecion. Kollaren ti mund ta lidhësh ndryshe, por kollarja është po ajo. Diskrecioni për bizneset ka qenë 30 për qind, me mundësinë që ta ulnin si të donin që prej 2005”, u përgjigj Blushi.

Replikat dhe batutat kanë vazhduar edhe për projektin e sheshit Skëndërbej, ku kryeministri tha se qeveria ia riktheu atë qytetarëve.

“Është mrekullia e vetë, shko shikoje. Nga betoni u bë i gjelbëruar, mori drejtimin jeshil. A e kuptoni ju c’ishte piramida në mes të sheshit?”, u shpreh Berisha.

“Në fakt ai shesh sot është më mirë se më parë, e pranoj këtë. Por ka dicka që nuk shkon. Unë kaloj përditë atje dhe tek monumenti i Skëndërbeut nuk shkohet dot më. Aty nuk shkohet përvecse zbathur”, replikoi Blushi.


Diskutimet e gjata të buxhetit
janë shoqëruar shpesh me debate mes kryeministrit nga njëra anë dhe deputetëve socialistë nga krahu tjetër, ndërkohë që ministri i Financave, ndyshe nga herët e tjera, këtë radhë ka preferuar të mos përzihet në debat.

Top Channel