Hapet “Tirana East Gate”

25/11/2011 21:10

Në pjesën lindore të kryeqytetit, prej nga ka marrë edhe emrin, është vënë në funksionim 18 muaj pas nisjes së ndërtimit qendra më e madhe tregtare në Shqipëri, “Tirana East Gate”.

Qendra është një investim prej 104 milionë eurosh dhe investitorët e saj, “Balfin Group”, kompania më e madhe private në Shqiperi, dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, planifikojnë të punësojnë direkt 2 mijë persona dhe indirekt 2 mijë të tjerë.

Për kryeministrin Sali Berisha ky investim, si dhe prania e rreth 160 bizneseve, përfshirë dhe emra të njohur botërorë, është një nga treguesit më të mirë të besimit tek Shqipëria.

“Një ditë një miku im më thoshe se, “e vizitova qendrën dhe se gjatë gjithë vizitës time atje mendoja se mund të gjendesha në Paris, Nju Jork, Londër dhe cdo kryeqytet të botës”. Mikut tim i sugjerova: “vizitoje edhe njëherë dhe mendo se kjo është Shqipëria”. E vërteta është se kjo është Shqipëria. Ky është një investim shqiptar”, u shpreh kryeministri Berisha në ceremoninë e inaugurimit.

Një nga risitë që sjell qendra tregtare “Tirana East Gate” është prania e rrjetit të hipermarketeve në Europe, “Carrefour”, që me rreth 3 mijë produkte synon të kënaqë interesat e cdo familjeje.

“Kjo qendër do sjellë një eksperiencë të re blerjesh, me dyqane sipas normave dhe standarteve evropiane dhe me cmime të lira e konkurruese”, deklaroi menaxheri i qendrës tregtare, Samir Mane.

Investitorët dhe bizneset synojnë që me shumëllojshmërinë e markave dhe produkteve, hapësirat për argëtim, si dhe baret dhe restoranet, ta shndërrojnë “Tirana East Gate” në një nga pjesët më tërheqëse të kryeqytetit.

Top Channel