Dokument rajonal për lumin Drin

25/11/2011 00:00

Nevoja e një mirëmenaxhimi të burimeve ujore në rajon e në vecanti të lumit Drin ka mbledhur në Tiranë ministrat e Mjedisit të vëndeve ballkanike.

Diskutantët gjatë konferencës “Dialog për Drinin” u shprehën për nevojen e hedhjes së hapave konkretë, bazuar në direktivën e ujërave të BE-së.

“Qeveria shqiptare, bazuar mbi problematikat e fundit, hartoi në bashkëpunim me ekspertë të huaj një plan të ndërhyrjeve emergjente, që koordinojnë vullnetin dhe gatishmërinë e vendeve të përfshira në basenin e Drinit”, deklaroi ministri shqiptar Fatmir Mediu.

Ndërsa ministri maqedonas Abdilaqim Ademi e cilësoi këtë konferencë si një proces të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkufitar.

“Trupat ujore janë shpërndarë në një territor gjeografik që përfshin 5 shtete. Mbështetja politike për këtë proces është me rëndësi esenciale. Lumi Drin na mundëson të promovojmë vullnetin politik për bashkëpunim”, tha Ademi.

Në fund të konferencës ministrat pjesëmarrës firmosën një memorandum mirkuptimi në thelb të të cilës është ruajtja e basenit të lumit Drin në të gjitha ato shtete ku ky lum kalon.

Miratimi i këtij dokumenti vjen në një moment kur shfrytëzimi i lumenjve në Shqipëri ka tejkaluar cdo kufi dhe ku në mënyrë ilegale kompani të ndryshme i gërryejnë për të mbledhur materiale inerte.

Në mes të ditës, në një periudhë kur ndalohet me ligj shfrytezmi i shtratit të lumenjeve për të marrë inerte, disa kamione dhe mjete të renda gërmonin në lumin Mat.

Ndërsa në Shkodër, ndërkohë që flitet për masat antipërmbytje, lumenjtë që rrethojnë qytetin vazhdojnë të gërryhen masivisht nga individë dhe firma që marrin inerte.

Edhe në Gjirokastër, në të gjitha qytetet e qarkut bashkitë nuk kanë përzgjedhur vende të përshtatshme për grumbullimin e mbeturinave.

Deri para pak kohësh, lumi Erzen shfrytëzohej bazuar vetëm mbi një kërkesë për leje provizore nga ana e Ministrisë së Transporteve, drejtuar Ministrisë së Mjedisit. Vetëm pas denoncimeve të njëpasnjëshme në Top Channel, firmat e inerteve pezulluar punën në këtë lum.

Top Channel