Çmimi i ri për energjinë elektrike

25/11/2011 08:25

Më datë 30 nëntor, ERE do të mbledhë grupet e interesit për të diskutuar mbi propozimin e KESH, CEZ dhe OST për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Në takim pritet të marrin pjesë shoqata të ndryshme, OJF, si dhe përfaqësues nga vetë shoqëritë, por vendimi final për tarifat e reja pritet të merret më 15 dhjetor.

E përditshmja “Shqip” paralajmëron që interesi për këtë vendim të ERE-s të jetë më i madh se kurrë, edhe sepse niveli i ri i tarifave të energjisë do të jetë i vlefshëm për vitet 2012-2014.

Pothuajse të tria kompanitë kanë kërkuar rritje, duke filluar nga KESH për gati 240 për qind, sa i takon tarifës për energjinë që i shet CEZ-it.

Ky i fundit kërkon shtrenjtim me rreth 12 për qind, ku familjarët goditen me 26 për qind dhe OST ka aplikuar për ndryshim çmimi 18 për qind më lart për transmetimin.

Natyrisht një vendim i ERE-s pro kërkesave të kompanive do ta çonte çmimin e kilovat në mbi 20 kilovatë/lekë, nga 7.7 lekë, por kjo ka pak gjasa të ndodhë, sikurse edhe një vendim në favor të njërës kompani, sërish do të sillte pasoja negative te konsumatori për shkak të efektit domino (të tria kompanitë janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe një rritje e çmimit për x kompani, jep efekte negative për dy të tjerat).

Në këto kushte ERE po shqyrton mundësinë sesi të dalë me objektiv të realizuar në mbrojtje të konsumatorit. Burime konfidenciale pranë Entit Rregullator pohojnë për “Shqip” se vendimi i dhjetorit nuk do të sjellë rritje të çmimit, por do të gjenden të tjera mekanizma.

Mosrritjen e çmimit e mbështet edhe Ministri i Financave, por nga ana tjetër nuk jep argumente sesi mund të arrihet. Vështirësia në procesin e vendosjes së tarifave të reja për tre vitet e ardhshme lidhet me KESH—in, e cila ndodhet në situatë të vështirë ekonomike për shkak të vendimit të ERE-s vitin e kaluar, kur i uli tarifat, me kosto minus tek të ardhurat gati 4 miliardë lekë.

Korporata, për të kompensuar humbjet e 2011-s, të shkaktuara edhe nga importet, me vlerë 7 miliardë lekë (deri në nëntor), ka kërkuar rritje të tarifës me mbi 230 për qind, pra nga 1.48 lekë për kilovat, në 5.03 lekë.

Në rast se ERE ia pranon kërkesën, CEZ-it i rriten kostot me trefish dhe natyrshëm barrën do t’ia kalojë konsumatorit, përndryshe kompania çeke rrezikon falimentin. Por, si mund të gjendet rruga e duhur për t’i kënaqur të dyja palët.

Burime nga Ministria e Financave dhe nga ERE bëjnë të ditur për gazetën se paraprakisht është rënë dakord me CEZ për shlyerjen e të gjithë borxhit që shteti ka ndaj kompanisë, me vlerë mbi 150 milionë euro. Kjo masë do të bindte kompaninë çeke për të mos kërkuar rritje çmimi, madje mund të përballojë edhe një diferencë negative të krijuar nga rritja e çmimit të KESH-it.

ERE është e bindur që KESH-it do t’ia rrisë çmimin, ndoshta jo aq sa është kërkuar, sikurse edhe për CEZ tashmë është marrë vendimi për të mos ia plotësuar kërkesën. Natyrisht, për të plotësuar kërkesën e CEZ, qeveria do të duhet të nxjerrë nga arka e varfër miliona euro, ku fare mirë i siguron nga shitja e HEC-eve, por ky skenar nuk do të sillte efektin e duhur të privatizimit.

Çekët kanë rënë dakord të paguhen edhe me këste, mjafton që borxhi t’u njihet dhe me të ardhurat të përmirësojnë rrjetin dhe shërbimin.

Gjatë vitit 2011 (periudha janar-nëntor 2011) nga ana e FPSH-së (furnizuesi publik me shumicë) është blerë me çmime tregu (import dhe tregu vendas) sasia e energjisë prej 1,074,622 megavatësh me një vlerë prej rreth 64.6 milionë eurosh (pa TVSH) dhe me çmim mesatar prej 60.18 euro/megavat energji.

Ndërsa për vitin e ardhshëm është parashikuar të blihet me çmime tregu (import dhe tregu vendas) sasia prej rreth 1,7 miliardë kilovatë energji, ndryshe, e përkthyer me shifra, gati 100 milionë euro.

Top Channel