BSH: Rreziqet për ekonominë

24/11/2011 00:00

Banka e Shqipërisë publikoi raportin e fundit mbi stabilitetin financiar
të vendit, ku skanon ecurinë e ekonomise dhe sektorit bankar, si dhe
rreziqet që mund te vijnë nga kriza e Eurozonës.

Raporti vë në dukje se rreziku i parë ka të bëjë me tkurrjen e rritjes ekonomike për shkak të ngadalësimit të pritshëm të ekonomisë botërore, mungesës së hapësirës për një politikë fiskale stimuluese dhe rënien e konsumit dhe investimeve raporti thotë se nëse ekonomia ngadalësohet, kjo mund të ndikojë negativisht në vëllimin e aktivitetit dhe në vendimet për zgjerimin e investimeve nga bizneset, duke frenuar rigjallërimin e kërkesës për kredi bankare.

Një tjetër rrezik sipas bankës mbetet edhe ai i kursit të këmbimit. Edhe pse leku ka qenë i qëndrueshëm vitin e fundit ndaj Euros, banka vëren se rreziku i kursit të këmbimit mbetet i pranishëm dhe mund të godasë ekononominë në dy drejtime.

Së pari duke përkeqësuar borxhin e qeverisë dhe së dyti duke rritur më shumë kreditë me probleme në banka. Por vëmendja më e madhe e raportit i kushtohet rreziqeve në sistemin bankar. Raporti vlerëson që në fillim se Bankat Shqiptare janë në gjendje të mirë financiare dhe kanë likuiditet të bollshëm, për shkak të rritjes së fortë të depozitave, por nënvizon se rreziqet nga kriza janë rritur.

Kjo për shkak të rënies së fitimit të bankave dhe uljes së kapitalit. Për të shmangur këto rreziqe banka e shqipërisë po ndërmerr disa masa të shpejta. Së pari ajo u ka kërkuar bankat private që të bëjnë një identifikim më të saktë dhe në kohën e duhur të kredive me probleme duke kërkuar edhe mbulimin e tyre me fondet përkatëse rezervë. Masa e dytë është ajo që detyron aksionerët e bankave të rrisin kapitalin, i cili është treguesi më i rëndësishëm për aftësinë paguese të një banke. Këto veprime thuhet në raport, të kombinuara me masat për uljen e mëtejshme të kostove operative, do të shmangin rreziqet dhe do krijonin gradualisht kushtet që bankat të riktheheshin sërish tek fitimet e qëndrueshme.

Top Channel