Leart Kola – Bankat, ato që realisht e drejtojnë demokracinë liberale në Perëndim, e humbën durimin me demokracinë.

Fasada e togfjalëshave “le të vendosë sovrani”, që fshihnin nëpërmjet zgjedhjeve, pikërisht mungesën e zgjedhjes e aq më pak të zgjidhjes së problemeve të popullit, duket se nuk është më mjaftueshëm interesante. Bankierët dolën në skenë vetë, duke marrë në dorë, nën një konsensus simbolik, drejtimin politik të shteteve në Greqi dhe Itali.

Nuk ka dyshim, që zhvendosja e Berluskonit në Itali, është një lajm i mirë, e jo vetëm për italianët, por dhe për rajonin, ndoshta pak më pak e merituar ishte shmangia e Papandreut, i cili e trashëgoi më shumë se e krijoi krizën në Greqi. Por, a është shmangia e tyre, një sinjal përkujdesjeje për banorët e këtyre vendeve apo e kundërta, këto vende po bëhen avangardë e asaj që do jetë bota e së nesërmes?

Winston Churchill kishte shumë dëshirë, që sa herë i jepej mundësia, në takime publike të përdorte shprehjen “demokracia nuk është sistemi më i mirë, por është më i miri që kemi”. Kjo u bë moto e së gjithë kohës së Luftës së Ftohtë nga vendet perëndimore, që shpërfaqnin të mirat materiale, përballë lindjes ideologjike, të ftohtë dhe autokratike. Por ja që vijmë në kohën kur demokracia është në kushtet që nuk e mbron dot më veten, vetëm duke qenë më e mirë se diçka tjetër, në kushtet kur ajo “gjëja” tjetër nuk ekziston më, përveçse në disa periferi të planetit. Kur demokracia u përballka me vetveten, po na del, që qenka luftë më e madhe se kur ajo përballej me “izmat” e ndryshëm, si pëlqejnë t’i quajnë liberalët.

Testimi më spektakolar i kësaj që ndodhi në Greqi. Vetëm për disa orë Papandreu, brenda logjikës demokratike, që është propaganduar gjatë gjithë kësaj kohe, vendosi pas muajsh të tërë protestash nga populli e bllokimi ekonomik nga sindikatat, të shpallte referendum!! Propozimi dukej logjik, ju nuk pranoni shkurtimet buxhetore? Atëherë le të votojmë e të shohim vendimin e popullit. Pikërisht në momentin kur Papandreu mendoi si demokrat, filloi dhe fundi i tij politik. Qeveria gjermane, franceze, burokratët e Bankës Botërore, të lemerisur nga kjo, u mblodhën për të kërcënuar Papandreun (lexo “demokracinë”), e ia arritën ta mposhtnin. Eksperimenti demokratik, në Greqi, zgjati vetëm pak orë. Menjëherë Papandreu tërhiqet e si për magji, shefi i opozitës, që deri në atë moment e kishte refuzuar krijimin e një koalicioni të madh, me një shpejtësi alarmante, dakordohet për të vendosur në krye të Greqisë një qeveri teknike, të udhëhequr nga njerëz të afërt me bankat. E njëjta gjë ndodh praktikisht dhe në Itali, ku Kryeministri Berluskoni, tërhiqet si pulë e lagur për t’i lënë vendin një tjetër teknicieni të pavotuar, që do të udhëheqë Italinë.

Personalisht nuk gëzoj asnjë respekt për Papandreun e aq më pak për Berluskonin. Politikat e tyre neoliberale, janë kontribut i drejtpërdrejtë në përkeqësimin e jetës së banorëve të tyre, përfshi këtu edhe të mbi një milion shqiptarëve, që jetojnë në këto vende, e politikat e tyre kanë filluar të ndihen dhe në ekonominë e brishtë shqiptare, por kjo sjellje na prezanton me dy probleme të mëdha parimore dhe praktike.

Në aspektin parimor duhet kujtuar se, që kur nisi kjo zallamahi e madhe në botë me krizën ekonomike, të parët që u vendosën në bankat e të akuzuarve për spekulimet e jashtëzakonshme që kishin bërë, ishin pikërisht bankat dhe bankierët. Ata u vendosën para përgjegjësisë, jo vetëm nga populli, por dhe nga qeveritë respektive. Madje për disa pati edhe masa ligjore. Atëherë si ka mundësi që dy personazhet që drejtojnë sot, vendet që janë pararoja e krizës së krijuar nga politikat bankare, janë të afërt me këto institucione, madje shpeshherë edhe krerë të tyre? Kjo sjell që 99% kundër “Wall Street”, jo vetëm që s’ka mundësi të zgjedhë, por e gjen veten duke i dorëzuar këtyre kuçedrave dhe pushtetin politik, jo vetëm atë ekonomik. Bankierëve, me sa duket, i ka ardhur në majë të hundës duke kërcënuar liderë politikë, për ta, ka ardhur koha që ta drejtojnë vetë politikën.

Argumenti praktik është se ikja e Papandreut dhe Berluskonit e ardhja e Papademos e Montit, nuk ka ndryshuar asgjë në politikat që deri më atëherë po ndërmerreshin nga dy liderët e ikur. Madje, deklaratat më ekzaltuese nuk janë ato, që politikat e së ardhmes, do të mendojnë më shumë për popullin e lënë në varfëri, jo, përkundrazi, Monti e Papademos shihen si njerëzit e duhur për të udhëhequr këto dy vende sepse janë “miqësorë me tregun”!!! Me të njëjtin “treg” që është sot i akuzuari kryesor, për krijimin e disbalancave shoqërore. Pyetja që shtrohet është nëse këta dy individë, vijnë për të vazhduar të njëjtat politika ekonomike, që tashmë po ndërmerreshin nga të mëparshmit, kush është e reja këtu? Apo pas ekonomisë radhën e ka mposhtja e demokracisë e vendosja e një sistemi tjetër?

Neoliberalizmi nuk e ka pasur asnjëherë qejf të madh demokracinë. Tregu i hapur, pushteti i korporatave, mund të mbizotëronte vetëm nëpërmjet pushtetit të dhunës ushtarake e policore, kjo ndodhi në Kili, kjo ndodhi në Argjentinë, kjo ndodhi dhe në Britaninë e Madhe gjatë Thatçerizmit, edhe pse kjo e fundit, siç deklaron në letrat e shkëmbyera me Milton Friedmanin, nuk e bëri “çmendurinë” e reformave të Pinoçetit.

Që pas Thatçerit e Reganit, neoliberalizmi i gozhdoi mirë këmbët në sistem e sigurisht nuk kishte në plan të largohej kaq lehtë, korporatat de facto e udhëheqin sot botën, ato janë përgjegjëse sot për borxhet e mëdha në të cilat janë futur Greqia e Italia, ato mbi të gjitha dhe politika imperialiste e vendeve të zhvilluara në raport me vendet më pak të zhvilluara. Vampirizmi i surplusit dhe dalja totalisht nga kontrolli i kësaj utopie të re, pra utopisë së tregut, ka prekur jo më vende si Bangladeshi, Afrika, Europa Lindore, por është ulur këmbëkryq në mes të Europës, shfrytëzuesit e djeshëm janë bërë të shfrytëzuarit e sotëm. Teoria neoliberale e tregut, paradoksalisht nuk e pranon konkurrencën në shfrytëzim, ajo tendencialisht përqendrohet në pak duar, në duart më të fuqishme, e ato janë sot në Berlin dhe Uashington.

Agjentët e pavotuar të bankave, që sot do drejtojnë Greqinë e Italinë, nuk janë një lajm i mirë për ata që sot mbushin sheshet e kryeqyteteve në botë. Akuzat ndaj Obamës, kriza e Sarkozisë dhe kontrolli që Banka Qendrore i bën Merkelit, është sinjali i parë i qartë, që bota po shkon drejt krijimit të disa qeverive kukulla, që në fund do drejtohen nga bordet e korporatave. Për këtë arsye, duhen njerëz që të mos jenë të votuar nga njerëzit, por t’i pëlqejnë “tregut”, misticizmi i tregut në këtë rast, fsheh, atë që me sinqeritet nga neoliberalët, quhet dora e fshehtë, sepse për këtë po flasim, për një qeveri të fshehtë që ekzekuton shtete të tëra dhe i zhvesh nga sovraniteti me anë të kësaj dore të fshehtë.

Çdo fashizëm, lind nga një revolucion i dështuar, kësisoj, sot subjektet që mbushin sheshet, janë e vetmja shpresë që bota, të mos shkojë drejt një fashizmi korporativ, ku banorët e botës të kthehen në skllevër, e ku demokracia të humbë substancën e saj, për t’i dhënë sovranitet njerëzve. Qëndresa e tyre është shpresa jonë e vetme. Si do thoshte Leonard Cohen, “në fillim duhet të marrim Manhatanin e më pas Berlinin. Metafora është me vend, nëse pushteti nuk vihet në shërbim të njerëzve, atëherë rrugë tjetër s’ka përveç asaj që njerëzit të vihen në shërbim të të pushtetshmëve, edhe një herë njerëzimit i kërkohet të luftojë për lirinë, vëllazërinë, barazinë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel