Koalicioni brenda së majtës antagoniste

23/11/2011 00:00

Bledar Kurti – Pas publikimit të librit me titull “Kurban” të kryetarit të opozitës,
Edi Rama, dhe pas komenteve të tij në emisionin “Top Story” në lidhje me
figurën e Ilir Metës, javën e kaluar u ngrit një debat publik
spekulativ mbi një koalicion të mundshëm PS–LSI për zgjedhjet e ardhshme
parlamentare.

Në librin “Kurban”, Rama e përshkruan Metën krejt të ndryshëm nga si ai përshkruan veten: si anën e errët kundrejt vlerave progresiste që ai mundohet t’i transmetojë lexuesit, megjithatë, sado kritike, pena e Ramës duket më e frenuar dhe e pjekur sesa qëndrimet dhe deklaratat e tij në të kaluarën. Edhe intervista e javës së kaluar, në të cilën ai la hapur një derë bashkëpunimi të mundshëm me Metën, tregojnë se PS-ja ka qëllime serioze dhe po mban qëndrime miqësore ndaj Metës dhe LSI-së.

Por, brenda shumë pak ditësh kryetari i opozitës e përgënjeshtroi thashethemin që e shpiku vetë me penën dhe gojën e tij, duke deklaruar se një koalicion PS–LSI ishte i pamundur, pasi partia që ai drejton i ka votat për fitore pa gjysmën e Berishës. Kjo lëvizje e Ramës ndoshta u bë për të matur pulsin e socialistëve, ose për të nxjerrë në qarkullim një tezë imoraliteti politik dhe më pas për të ngjyrosur veten si shpëtimtari i vendit me shprehje si “koalicioni i sotëm opozitar ka detyrimin ta largojë Saliun në radhë të parë me një moral të ri si garanci për mirëqeverisjen.”

Por sa i mundur do të ishte një bashkëpunim i vërtetë me koalicion PS–LSI në zgjedhjet e ardhshme?

Konflikti disavjeçar midis këtyre dy partive mund të konsiderohet si një nga konfliktet më të ashpra midis forcave politike të periudhës postkomuniste. Lufta midis këtyre forcave ka konsistuar në planin politik, por dhe atë personal, si midis krerëve ashtu edhe midis figurave kryesore të këtyre dy partive. Në aspektin politik ka pasur një betejë të vazhdueshme ideologjike, e cila ka shërbyer si mekanizëm për të thithur votat e majta.

Që pas ardhjes së Ramës në krye të PS-së, kjo parti doli nga shtrati i së majtës tradicionale dhe u pozicionua në qendër me tendenca të djathta, ndërsa LSI-ja e forcoi pozicionin e saj si një parti e qendrës së majtë, duke mos u larguar prej origjinës. Edhe tani, pas publikimit të programit të PS-së, ka një ndarje ideologjike midis dy partive, pasi kësaj here PS-ja është spostuar shumë majtas, duke u etiketuar si një parti e majtë radikale. Për ata që votojnë majtas duke u bazuar mbi ideologjinë politike, ndonëse është një përqindje shumë e vogël që e mbështet arsyen e votës mbi programin, kjo ndarje e dukshme brenda së majtës e ndan edhe elektoratin.

Sigurisht, dikush mund të argumentojë se afrimiteti ideologjik midis dy partive të majta si PS dhe LSI është më i madh sesa koalicioni me një parti të djathtë si PD, por, në fakt, kjo logjikë nuk është e saktë, pasi një parti e qendrës së majtë mund të jetë më e afërt me një parti të qendrës së djathtë sesa një radikale e majtë. E thënë shkurt, ideologjia politike e LSI-së mund të jetë më pranë PD-së sesa ideologjisë së re të PS-së, për këtë arsye partia e drejtuar nga Ilir Meta ka legjitimitetin e plotë moral dhe politik të bëjë koalicion me kë të dëshirojë.

Por, vështirësia midis një koalicioni të mundshëm qëndron më shumë në aspektin personal. Historia ka treguar se për shkak të përfitimeve politike armiqtë e përbetuar janë ulur në tryezë si miq, ndaj në politikë fjala “kurrë” nuk ekziston, pasi ajo ofron shumë kthesa dhe të papritura. Megjithatë, historia e konflikteve personale midis Metës dhe Ramës e bën të vështirë një koalicion të tillë.

Sikur të mos mjaftonte përpjekja për ta rrënuar LSI-në me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, zyrat propagandistike të PS-së thurën slogane dhe strategji publicistike të pafundme personale kundër Metës dhe figurave të rëndësishme të kësaj partie. Mazhoranca e mbështeti këtë fushatë politike dhe propagandistike, pasi i interesonte një përçarje e së majtës. Sulmet personale u intensifikuan në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe arritën kulmin disa muaj pas shpalljes së koalicionit qeverisës PD– LSI.

Akuzat për tradhti politike ndaj Ilir Metës dhe ato për korrupsion të ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, e acaruan të gjithë skenën e politikës shqiptare. Kulmi i sulmeve ndaj LSI-së arriti me videon Prifti-Meta, në të cilën dukej qartë se pjesë e intrigës ishte edhe opozita. Fakti që Dritan Prifti u angazhua në krah të opozitës gjatë zgjedhjeve vendore të majit dëshmon se PS-ja nuk ka qenë pa mëkat në këtë aferë.

Si rrjedhojë e kësaj lufte të ashpër personale duket e vështirë që Meta të bëjë koalicion me forcën që u përpoq ta turpëronte publikisht dhe ta fuste atë në burg.

Por, duke u zhveshur nga emocionet e urrejtjes personale midis Ramës dhe Metës, logjika e ftohtë politike dikton se si forca e tretë në vend, dhe si faktori kryesor për qeverisjen e tanishme dhe të së ardhmes, LSI është në pozicion komod dhe të sigurt. Ajo ka të drejtë zgjedhje midis PD-së dhe PS-së duke e ditur që numri i votuesve që ka do të jetë gjithmonë çelësi i krijimit të një koalicioni qeverisës dhe stabilizuese e mbarëvajtjes së kësaj qeverisje.

A do të rrezikonte LSI-ja koalicionin komod me PD-në, një koalicion i provuar si një bashkëjetesë e suksesshme, kundrejt një koalicioni me PS-në, i cili në të kaluarën ka përfunduar në intriga dhe sulme të brendshme?

Tani që shqiptarët kuptuan se nuk ka asnjë imoralitet politik midis dy krahëve të ndryshme politike si PD dhe LSI, pasi edhe PS-ja ka bërë koalicion opozitar me parti të djathta, dhe ka qeveri në botë si qeveria e djathtë e David Cameron në Britaninë e Madhe që bashkëqeveris me një parti të majtë, LSI-ja ofron me krenari një koncept të moderuar të qeverisjes dhe ka luksin të bëjë zgjedhje pragmatiste në të ardhmen.

Meta nuk ka asgjë për të fituar më shumë me Ramën sesa çfarë ka me Berishën ndaj nuk ka për të marrë asnjë vendim të nxituar për t’iu përgjigjur ftesës së heshtur të Ramës për bashkëpunim. Për më tepër, viti që vjen do e testojë sinqeritetin e kryesocialistit ndaj Metës, pasi kjo do të shihet në ndryshimet që do ndërmerren në lidhje me reformën zgjedhore, në sa tolerante do të tregohet PS-ja ndaj interesave zgjedhore të LSI-së, por edhe nga përfshirja e saj në zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Duke u nisur edhe nga debati i ditëve të fundit se a ishte Ilir Meta apo Edi Rama ai që prishi dhe ndryshoi pamjen e parkut “Rinia”, një bashkëpunimin i mundshëm midis këtyre dy figurave duket i largët. Vështirësia që paraqet koalicioni PS–LSI mund ta bëjë, në një farë mënyre, më të mundshme dhe të lehtë një koalicion qeverisës PD-PS. Kjo po që do të ishte risi për politikën shqiptare. Ky koalicion do të ishte edhe më i vështirë, por, siç u përmend më lart, në politikë “kurrë mos thuaj kurrë”. Apo jo?

Socialistët e thjeshtë ndihen krenarë që kryetari i tyre është një publicist i suksesshëm, por ata nuk e kanë votuar dhe mbështetur atë për të qenë bestseller apo të konkurrojë me Helena Kadarenë, Blendi Fevziun, Ben Blushin, Sokol Ballën dhe Spartak Ngjelën, por të përballet me Berishën. Ata do të ishin të lumtur nëse Rama do të fitonte çmimin “Pulitzer” apo “Nobel” për letërsinë, por më parë të fitojë zgjedhjet dhe t’i sjellë ata në pushtet. Ndërkohë që ai nënshkruan autografe në mbarë vendin duhet të nënshkruajë më parë marrëveshje politike për koalicione fituese. Sesi do të arrijë ta bëjë këtë, me Metën, me Nanon, apo me vetë Berishën, kjo mbetet për t’u parë.

Megjithatë, duhet thënë se një lider nuk lind nga marrja e vendimeve të lehta, por nga guximi për të ndërmarrë iniciativa të pamundura.

Gazeta “Shqip”

Top Channel