HEC-et në privatizim vlejnë 300 milionë

23/11/2011 08:15

Katër hidrocentralet që qeveria dëshiron të privatizojë për 100-150 milionë euro, mund të kushtojnë dy herë më shumë në rast se do të ndërtohen tani dhe kanë një jetëgjatësi prej së paku 250-300 vjet, bëjnë të ditur ekspertë të energjisë për “Shqip” duke kundërshtuar shitjen e një “pasurie kombëtare të pazëvendësueshme,” siç e konsiderojnë ata.

Ekspertët që aktualisht punojnë privatisht në projekte të ndryshme të ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël privatë, nuk pranojnë të prononcohen me emër për shkak të problemeve që mund t’u krijohen nga qeveria në aktivitetet e tyre, por sqarojnë jopublikisht se të gjitha hidrocentralet në privatizim, përveç vlerës së madhe monetare, kanë edhe funksione të pazëvendësueshme në sistemin energjetik shqiptar të sotëm dhe privatizimi i tyre mund të sjellë kosto shtesë për KESH.

Qeveria ka shpallur për privatizim hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit në lumin Mat dhe hidrocentralet Bistrica 1 dhe Bistrica 2 në lumin Bistricë. Të katër hidrocentralet prodhojnë mesatarisht 546 mijë MW/h, e cila, duke marrë parasysh çmimin aktual të energjisë në treg të hapur prej 50 eurosh për MW/h, nënkupton se kanë potencial për xhiro vjetore prej 22.8 milionë euro.

Çmimi

Qeveria beson se mund të arkëtojë 100-150 milionë euro për katër hidrocentralet me fuqi të përbashkët të instaluar prej 76 megawatt, por ekspertët thonë se në rast se do të ndërtoheshin sot, këto HEC-e mund të kushtonin 300 milionë euro. Hidrocentrali i Ashtës po kushton 4 milionë euro për megawatt fuqi të instaluar, thonë ekspertët, gjë që do të thotë se katër hidrocentralet e hedhura për privatizim mund të kushtojnë së paku 300 milionë euro.

Të katër hidrocentralet janë ndërtuar në vitet ’60-‘70, në kohën kur shqiptarët punonin me statusin e skllevërve. Vdekjet apo plagosjet në punë nuk merreshin parasysh nga qeveria e kohës, e cila shpesh përdorte të burgosur për arsye politike për të punuar si skllevër. Sakrifica e këtyre njerëzve nuk u pagua kurrë, por vendi gjithsesi ka sot hidrocentralet. Shitja e këtyre hidrocentraleve me çmim të lirë, jo vetëm që do të sjellë shitjen e sakrificës së shqiptarëve që i ndërtuan, por do të ngarkojë edhe brezat e ardhshëm me fatura dritash më të shtrenjta.

Rëndësia strategjike

Hidrocentrali i Shkopetit mbi lumin Mat ka fuqi të instaluar prej 24 MW në dy turbina. KESH e përdor këtë hidrocentral prej shumë vitesh si rezervë strategjike prodhuese. Prodhimi i energjisë në vend ka nevojë gjithmonë të jetë 3-4 për qind më shumë se sa kërkesa në mënyrë që të shmanget rënia e rrjetit dhe ndërprerja e furnizimit. Njëri prej agregateve të Shkopetit me madhësi 12 MW përbën pikërisht 3 për qind të energjisë që furnizohet zakonisht në rrjet. KESH nuk ka ndonjë aset më të përshtatshëm për ta përdorur si rezervë teknike dhe përdorimi i hidrocentraleve të mëdhenj ekzistues sipas ekspertëve, mund të sjellë rritjen e humbjeve teknike dhe rënien e eficencës kombëtare në përdorimin e rezervës hidrike.

Ndërkohë, hidrocentralet e Bistricës janë gjithashtu të rëndësishme për sistemin pasi janë të vendosura në jug, janë sot për sot, burimet e vetme gjeneruese me rëndësi në pjesën jugore të vendit, ndihmojnë në stabilizimin e tensionit në atë pjesë të rrjetit dhe rrjedhimisht sjellin uljen e humbjeve teknike. Për rehabilitimin e tyre, qeveria shpenzoi rreth 40 milionë marka gjermane kredi dhjetë vjet më parë.

Jetëgjatësia

Me përjashtim të hidrocentralit të Ulzës, të tre HEC-et e tjera të hedhura në privatizim konsiderohen të pavdekshëm. Jetëgjatësia e tyre llogaritet në 250-300 vjet, ndërkohë që tashmë kanë mbushur vetëm 50-70 vitet e para të jetës.

Rreziku më i madh për hidrocentralet është mbushja e basenit me prurje të gurta, gjë që për hidrocentralin e Shkopetit nuk ekziston si rrezik, pasi prurjet e ngurta mbeten në Ulzë ndërsa në Bistricë nuk ka prurje të gurta për shkak se ky është një lum i përbërë tërësisht nga burime nëntokësore. Vlera e prodhuar e energjisë së këtyre hidrocentraleve, në rast se merret parasysh se kanë edhe 200-230 vjet jetë, mund të arrijë në 4 miliardë euro me çmimet aktuale. Asnjë kompani private nuk mendon në terma kaq afatgjatë, por në rast privatizimi, kjo është shuma e parave që vendi to të paguajë në formën e faturave të dritave të privatizuesit, të cilët në fakt pritet të paguajnë më pak se 5 për qind të përfitimeve të pritshme.

Top Channel