Harasani: Të parashikohen fonde për KESH-in në buxhet

23/11/2011 00:00

Deputeti i Partisë Socialiste, ish-drejtor i Përgjithshëm i Korporatës
Elektro-energjitike Shqiptare, Andis Harasani thotë se qeveria duhet të
ndryshojë urgjentisht buxhetin e vitit të ardhshëm, për t’i paraprirë
krizës energjetike.

“Ne si grup parlamentar i Partisë Socialiste do të kërkojmë në parlament gjatë seancës së buxhetit, që të parashikohen fondet në buxhet, në mënyrë që KESH-it t’i krijohet mundësia për të importuar energjinë”, thotë Harasani.

Zoti Harasani thotë që debitorët duhet t’i paguajnë korporatës borxhet që i kanë, cka do të lehtësonte paksa financat e KESH-it.

“Duhet që CEZ-i të paguajë menjëherë faturën, i detyrohet një borxh shumë të madh 45 milionë dollarësh KESH-it, të cilin duhet ta paguajë, sepse janë konsumatorët shqiptarë, të cilët paguajnë të fundit dhe ndërkohë KESH-i duhet të marrë të gjitha masat që të sigurojë kontratën për energjinë e nevojshme gjatë muajve të dimrit, që parashikohen të jenë të thatë”, tha Harasani.

Andis Harasani thotë se për sa kohë Shqipëria nuk do të investojë në burime të reja energjetike jo vetëm ujore, do të jetë gjithmonë e rrezikuar nga krizat.

Vendi drejt krizës energjitike

Shqipëria po shkon drejt një krize të rëndë energjitike, për shkak të thatësirës së zgjatur që ka shteruar rezervat ujore ne basenet e hidrocentraleve.

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka rënë në 260 metër dhe vazhdon të bjerë për shkak të prurjeve të papërfillshme, në nivelet më të ulëta historike. Në nëntor prurjet ishin vetëm 34 metër kub në sekondë nga 204 metër që ka qenë mesatarja 50-vjecare e këtij muaji. Të gjitha hidrocentralet e kaskadës prodhojnë aktualisht vetëm 6 milionë kilovat orë në ditë, ndërkohë që konsumi është në nivele maksimale gati 4 herë më shumë.

Në këtë situatë, Korporata Elektroenergjetike është detyruar të importojë sasi të mëdha energjie. Aktualisht importi i energjisë ka arritur rekordin historik, gati 17 milionë kilovat orë në ditë, duke bërë qe Korporata, e drobitur financiarisht, të shpenzojë 30 milionë euro ne muaj, për të blerë energji. Kjo situatë vazhdon qe nga fillimi i vitit. Në total, gjatë gjithë vitit, KESH ka prodhuar 3.7 miliardë kilovat orë në vend, ndërsa është detyruar të importojë 2.6 miliardë të tjera. Për shkak të kësaj situate, KESH është në vështirësi urgjente financiare.

Top Channel