Një zjarr i madh përfshiu Tiranën

21/11/2011 00:00

Një zjarr me përmasa të mëdha shpërtheu rreth orës 17.00 të së henes në një magazinë fishekzjarresh tek tregu ushqimor pranë zonës së quajtur qyteti i nxënësve në Tiranë. 

Për fat të mirë nuk pati asnjë të lënduar. Pas përpjekjes për ta shuar zjarrin rojet e magazinave kanë lajmëruar zjarrëfikset.

Zjarri morri përmasa të mëdha i ndihmuar edhe nga lëndët shpërthyese të fishekzjarreve. Vatra e tij doli jashtë kontrollit fill pasi kishin kaluar 30 minutat e para të nisjes së tij.

Forca të shumta policore rrethuan zonën dhe bënë evakuimin e banorëve përreth. Flakët nuk viheshin nën kontroll dhe u kërkuan zjarrfikëse shtesë nga rrethet e Durrësit dhe Krujës. Shpërthimet e forta të fishekzjarreve vunë në panik banorët. 

Pas më shumë se 30 shkarkimesh të boteve të zjarrfikëseve flakët filluan të shuheshin deri në një normalizim të plotë të situatës. Zona u mbipopullua nga një numër i madh kureshtarësh dhe banorë të zonës.

Frika më e madhe e policisë ishte se flakët mund të përfshinin një pikë karburanti e cila ndodhej disa metra larg vatrës kryesore të zjarrit si edhe të disa shtëpive që ndodheshin shumë pranë.

Vetëm një prej banesave morri zjarr, ndërsa edhe një sërë dyqanesh të bizneseve të vogla që ndodheshin në afërsi të magazinave ku ra zjarri.

Grupi hetimor ka nisur menjëherë hetimin në lidhje me rënien e zjarrit. Ekspertët largojnë dyshimet se zjarri mund të ketë rënë nga ndonjë shkëndijë elektrike, edhe pse e kanë atë në një ndër pikat e hetimit.

Pistat kryesore mbeten ato të rënies së zjarrit nga pakujdesia si edhe ajo e zjarrëvënies me qëllim. I gjithë operacioni është ndjekur nga afër nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme që e drejtuan atë në afërsi të zonës të përfshirë nga flakët.

Tahiri: Ndërhyrja mund të kishte qenë më efikase

Ndërsa deputeti socialist i zonës së ish-Kombinatit, Sajmir Tahiri, në një prononcim për Top Channel u shpreh se ndërhyrja e zjarrfikësve dhe njësive të tjera mund të kishe qenë më efikase.

“Është një ngjarje shumë e rëndë për banorët e lagjes së Kombinatit. E them me bindje se një ndërhyrje më energjike e zjarrfikësve do kishte mënjanuar shumë pasoja, që tashmë janë të pallogaritshme. E them këtë me bindje pasi në fillim ishte e pamundur të gjeje zjarrfikës për t’i sjellë në vendin e ngjarjes”, deklaroi Tahiri.

Deputeti përshëndeti hetimet që kanë nisur dhe kërkoi që në këtë proces të shqyrtohet edhe pista e zjarrvënies së qëllimshme.

“Kërkoj edhe nga bashkia një fond të vecantë për tregtarët e dëmtuar nga zjarri, si dhe përjashtimin e tyre nga taksat”, shtoi ai.

Top Channel