Emisioni i “Pasdites”, kujdesi ndaj fëmijëve

21/11/2011 18:40

Pakujdesia prindërore dhe ajo institucionale i kanë kthyer vogëlushët në lajmin e parë të kronikës së zezë. Rasti më i fundit është ai i helmimit në ambientet e një kopshti në fshatin Leshnicë në Pogradec.

Emisioni i “Pasdites” së ditës së hënë, vendosi në qendër të vëmendjes pikërisht rastet kur për fat të keq, kanë qenë vogëlushët ata që kanë përfunduar në kronikën e zezë.

Tre fëmijë të moshës 3 dhe 4 vjec kanë pirë “bar miu”, i cili ishte lëshuar në mjediset e kopshtit për të shmangur praninë e brejtësve. Fëmijët shpëtuan nga vdekja në sajë të ndërhyrjes së shpejtë se mjekëve, por s’kanë qenë kaq fatlumë Roberti, Vilsoni, Kasandra dhe Nertila Xheka, të cilët humbën jetën një vit më parë nga asfiksia në fshatin Sukth të Durrësit. Banesa e tyre u përfshi nga flakët rreth mesnatës dhe fëmijët ndodheshin vetëm.

Vetëm dy muaj më pas, në janar të këtij viti, ngjarja ripërsëritet në Vlorë. Dy fëmije të mitur, motër e vëlla, humbën jetën nga flakët që shkaktoi kablli i kaloriferit. Prindërit i kishin lënë vetëm në shtëpi vogëlushët 3 dhe 4-vjeçarë në pamundësi për t’i lënë të shoqëruar.  

Një ngjarje tjetër e bujshme në qershor të këtij viti, që ngriti pikëpyetje të mëdha përsa i përkët mbajtjes së kafshëve në shtëpi ishte dhe rasti i 5-vjecarit që u kafshua nga pitbulli.  

Ndërkohë vetëm dy javë më parë në Durrës, një fëmijë 1-vjeçar u mbyt në një kovë me ujë ndërsa prindërit flinin. 11 viktima nën moshën 5 vjeç, shënohen vetëm nga këto ngjarje në harkun kohor të një viti. Diskutimet nëse raste të tilla janë aksidente apo pakujdesi njerëzore, perveç rreshtimit duhet të na bëjnë më të vëmendshëm ndaj kujdesit dhe përgjegjësisë ndaj fëmijëve. Në fund të fundit, teorikisht, aksidentet janë të evitueshme.

Top Channel