Dëshmon Prifti: Video origjinale

21/11/2011 00:00

Për katër orë rresht, Dritan Prifti, dëshmitari ndoshta më i rëndësishëm që drejtësia shqiptare ka patur ndonjëherë deri më tani në gjykatë, ka folur për llogari të procesit gjyqësor ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta.

Prifti iu përgjigj pyetjeve të prokurorit dhe të dy avokatëve të zotit Meta, duke shpjeguar para kolegjit penal arsyet që e shtynë të bënte këtë regjistrim, e duke theksuar disa herë se në video-regjistrimin e kryer prej tij nuk ka asnjë ndërhyrje, as në zë dhe as në figurë.

Dëshmitari Dritan Prifti argumentoi se e kishte mbajtur filmimin përgjatë një viti për shkaqe sigurie për veten dhe familjen, pas njoftimit që i kishte bërë kryeministrit Berisha për këtë gjë dhe mungesën e reagimit nga ana e tij.

Konkretisht në këtë pikë deputeti Dritan Prifti deklaroi se, “pas regjistrimit, videon ia vura në dispozicion kryeministrit Berisha, por kryeministri nuk e pranoi këtë video”.

Sigurisht, shtoi Prifti, ai duhet të ketë biseduar me Metën sepse pas disa ditësh pash dhe kuptova reagimin e Metës.

“Në kushtet kur kryeministri Berisha nuk pranoi ta merrte videon dhe duke njohur edhe lidhjet e Ilir Metës, vendosa të mos e bëja publike deri sa të vinte një moment ku unë të isha i sigurt”, dëshmoi Prifti.

Dëshmitari shpjegoi se marrëdhënia e tij me Ilir Metën nis në vitin 1999, por që pas 2009-ës, sidomos pas janarit 2010, kjo marrëdhënie ishte kthyer në stresante”.

“Kam qenë i pari deputet i Kuvendit që isha pro kësaj aleance. Këtu nisën momentet e xhelozisë, mbase se unë mora rolin e protagonistit. Në atë kohë Berisha më kërkoi mua të isha negociator i kësaj qeverisjeje dhe e përsëris këtu filloi marrëdhënia e xhelozise dhe marrëdhënia e sëmurë”, tregoi Prifti.

Megjithatë, viti 2010 ishte koha kur raporti mes Priftit dhe Metës u vështirësua dhe kur përfundimisht Dritan Prifti vendosi ta regjistronte për ta patur si provë.

“Në janar 2010 marrëdhënia filloi të bëhej stretsante, sepse Meta filloi të bënte kërkesa të ndryshme dhe të shumta. Kërkesa për punësime të ndryshme në ministri, apo dikastere që vareshin nga ministria. Kërkesa që kishin të bënin me funksione të tjera për të ndihmuar persona të ndryshëm për koncensione, tendera, ankande apo licensa të shumta. Për hir të së vërtetës, dia kërkesa që i quaja normale i plotësoja. Të tjerat që ishin jo normale dhe jo të ligjshme, jo. Gjithmonë i kam zbatuar kërkesat brenda ligjit. Për raste që unë nuk kisha mundësi t’i plotësoja, Meta fillimisht bënte kritika, thoshte pakënaqësi dhe më pas filloi me kërcënime dhe metoda të tjera si shpërndarje thashethemesh për personin tim dhe për largimin tim nga detyra”, theksoi Prifti.

Madje, Prifti e demonstroi këtë deklaratë me një shembull, kur sipas tij Meta i kishte kërkuar një favor, por duke qenë se ai ishte sëmurë, Meta kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte hequr jorganin.

Dritan Prifti shpjegoi bisedën e kryer në video edhe jashtë kontekstit të saj, për cështjen e koncensionit dhe të ankandit të naftës, ku pritej të shiteshin 30 mijë tonë naftë bruto.

“Ai kërkoi ta anulonte ankandin. Ky ishte një ankand ku do merrnin pjesë 20 kompani. Kam idenë se zoti Halilaj, që ishte firmë e re, mendonte se do kishte konkurrencë të madhe. Por zoti Meta kishte plan që Halilaj të bënte marrëveshje me “Armo”-n për rafinerinë edhe këtu Halilaj do kishte përparësi”, tha Prifti.  

“Për ankandin e naftës në zyrën time nuk ka patur ofertë. Por kjo bisedë është bërë dhjetra here, është ofruar 1 milionë dollarë për t’i ndarë mes meje dhe Metës. Biseda është bërë njëherë në Ministrinë e Jashtme, njëherë në një drekë në “Rogner”, vijoi ai.

Ndërkohë që për cështjen e koncensioneve ku përmendet edhe biznesmeni Agim Rrapaj, edhe ky dëshmitar, Prifti shpjegoi përmbajtjen e videos:

“Unë do përqëndrohem fillimisht tek biseda e videos. Por nëse është e nevojshme do dal edhe jashtë kontekstit. Z.Meta, gjatë takimit në zyrën time më kujtoi të zbatoja cfarë kishim diskutuar lidhur me ankandin për mikun e tij Bekim Halilaj. I thashë “po do ta bëj”, ai nguli këmbë “mbaroje, pse se mbaron, anulloje, pse se anullon?” Më tha për cështjen tjetër “jepe shpejt”, por unë e dija që ishte në Gjykatën e Apelit. Zoti Meta më tha “jo, cështja në Apel ka përfunduar, zbatoje menjëherë sot”. Gjatë bisedës telefonoi Agim Rrapaj, fola me të, i kërkova të dërgonin vendimin e gjykatës që unë të bëja punën sipas ligjit. Në një moment Meta më thotë mua që “ky Gimi, për ty ka 7 për qind”. Kjo ishte ajo që mbaj mend nga biseda. Për mendimin tim ishin të kundraligjshme. Për 7 përqindëshin, nuk besoj se ka njeri në botë mos ta kuptojë”, theksoi Prifti.

“Unë Agim Rrapajn e kam takuar me një person tjetër, me Fatmir Merkon. Ky është mik i Metës. I kam takuar me porosi të Ilir Metës. Takime për punë të ndryshme. Zoti Rrapaj thoshte se kishte mundësi e lidhje me qeverinë japoneze dhe do sillte fonde këtu. Në të gjitha rastet e takimeve, Rrapaj ishte me Merkon. E dija që kishte punë koncensioni për hidrocentralet. Por e dija që kishte 20 për qind në këto koncensione, që djali punonte si drejtues apo administrator aty”, vijoi ai dëshminë.

Në dalje të gjykatës, Prifti përsëriti edhe njëherë thelbin e dëshmisë së tij. “Unë sot dëshmova se e kam hedhur regjistrimin nga ora tek kompjuteri për 2-3 sekonda dhe gjykata mund ta shohë orën që ka ora dhe të shohë më pas orën që ka në laptop. Nuk ka më shumë se 2-3 sekonda që është hedhur videoja dhe nuk mund të ketë ndonjë gjeni në botë që mund të ketë ndërhyrë. E thash sot se nuk ka asnjë shans që ajo video të ketë ndërhyrje në figurë apo në zë”, deklaroi Prifti.

Pas dëshmisë së Dritan Priftit gjykata ka dëgjuar edhe dëshminë e një biznesmeni dhe dy zyrtarëve të “Albpetrol”.

Biznesmeni i lakuar në dëshminë e Priftit, Bekim Halilaj, tha se ka qenë pjesëmarrës në ankandin e naftës, por duke qenë se Prifti ishte miku i tij, ai s’kishte nevojë të ndërhynte tek Meta.

Megjithëse më herët Dritan Prifti për njohjen me biznesmenin Halilaj i rrëfeu gjykatës se ia kishte prezantuar Ilir Meta.

Për ankandin e “Alpetrol” nëndrejtori Pajtim Sulaj, edhe ky dëshmitar, tha se ky ankand u anulua 10 minuta para zhvillimit.

Top Channel