Shqipëria në terr statistikor

20/11/2011 00:00

Kur e gjithë bota po kalon një situatë të pasigurtë ekonomike për shkak të krizës së borxheve që ka përfshirë eurozonën, Shqipëria është duke lundruar në një terr statistikor.

Instituti i Statistikave ka ngrirë prej disa muajsh publikimet për shumë nga treguesit më të rëndësishëm të ekonomisë, në bazë të të cilëve duhet të ndërtoheshin politikat e qeverisë për të përballuar krizën, duke shkelur të gjitha afatet ligjore.

Sipas kalendarit zyrtar, në 8 shtator Instat duhet të kishte bërë publike shifrat e tregtisë me pakicë për tremujorin e dytë, treguesi kryesor që mat ecurinë e konsumit në ekonomi. Kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe matja e fundit publike e tregtisë me pakicë është ajo e tremujorit të parë.

Të tjerë tregues të rëndësishëm, që duhet të ishin publikuar që në shtator, janë ai i tregut të punës për vitin 2010 dhe statistikat afatshkurtra të tremujorit të dytë të këtij viti. Ende Instat nuk ka publikuar asnjë prej tyre duke shkelur më shumë se dy muaj afatin ligjor. Megjithatë treguesi kyç dhe më i domosdoshëm është ai i prodhimit të brendshëm bruto, i cili mat rritjen e ekonomisë.

Shifrat e prodhimit të brendshëm bruto për tremujorin e dytë të vitit, sipas kalendarit duhet të ishin publike në datën 30 shtator. Por, deri më sot matja e fundit e rritjes ekonomike është ajo e tremujorit të parë. Sipas Instat, shkaku për vonesën janë tatimet që nuk kanë dërguar informacionin e nevojshëm.

Përtej justifikimeve, fakt është se në momentin më të keq të ekonomisë globale që nga Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria ndodhet në një terr statistikor. Pyetja që lind tani është se mbi bazën e çfarë treguesve po i ndërton politikat antikrizë qeveria shqiptare dhe ku bazohet kur thotë se rritja ekonomike vitin e ardhshëm do të jetë 4.3 për qind.

Sepse, që nga koha kur Instat e ka matur për herë të fundit prodhimin kombëtar, kanë ndryshuar shumë gjëra dhe kriza e eurozonës është përkeqësuar.

Top Channel