Kakavijë, ndalohen 10 kilogramë marijuanë

20/11/2011 11:35

10 kilogramë marijuanë u sekuestruan ditën e dielë, pas një kontrolli të kryer nga policia kufitare në pikën doganore të Kakavijës.

Burime policore informuan se në pranga është vendosur shoferi i mjetit, Pëllumb Danaj, si i dyshuar për përkatësinë e lëndës narkotike.

Droga ishte fshehur në një kuti kartoni dhe ishte vendosur së bashku me valizhet e pasagjerëve. Trafiku i lëndëve narkotike është shndërruar në një problem të madh për forcat e rendit, që pothuajse përditë po zbulojnë raste të tilla.

Ditën e premte, katër trafikantë shkëmbyen zjarr me policinë greke pranë pikës doganore të Qafë Botës dhe pasi braktisën në vendngjarje 337 kilogram hashash, arritën të tërhiqeshin brenda kufirit shqiptar.

Po gjatë asaj dite, policia e Gjirokastrës vendosi në pranga tre shtetas, ndërsa prisnin autobuzin e linjës Gjirokastër-Tiranë. Në çantat e tyre u zbuluan dhjetë kilogram kanabis. Sipas informacioneve. lënda narkotike ishte blerë në Lazarat dhe kishte si destinacion përfundimtar Kosovën.

Gjithashtu gjatë javës, 30 kilogram kanabis u ndaluan në qytetin e Vlorës, ndërsa policia greke shkatërroi një rrjet shqiptar dhe sekuestroi 120 kilogram lëndë narkotike, në një operacion ku tre shtetas u vendosën në pranga.

Top Channel