Kreu i opozitës Edi Rama, gjatë takimit me anëtarët e sapozgjedhur të Asamblesë Kombëtare nga kongresi i 5 nëntorit, ka kërkuar një rol më aktiv të tyre duke mos anashkaluar edhe zërat brenda PS për një afrim apo bashkim me LSI-në e Ilir Metës, për të mundur Berishën.

Ky takim ishte me dyer të mbyllura për median, por nga një deklaratë për shtyp lëshuar nga selia rozë mësohet se Rama në takim është shprehur se:

“Asambleja e shkuar nuk ishte gjithnjë në lartësinë e detyrës dhe veçanërisht mbulimi i territorit që është një nga funksionet kryesore të asamblesë, si forum drejtues i partisë, la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, duke e lënë tërë barrën mbi deputetët”.

Ndërsa burime brenda kësaj mbledhjeje i thanë Top-Channel se Rama, duke iu drejtuar anëtarëve të asamblesë, theksoi se ai e konsideronte naive, për të mos thënë qesharake, që nga disa eksponentë brenda PS-së të thuhet: “të bashkohemi edhe me Metën për të mundur kryeministrin Berisha”.

Kjo, ka thënë Rama, është njësoj si të thuash se pa gjysmën e Saliut ne nuk mundim dot Saliun, ndërkohë që PS dhe koalicioni i sotëm opozitar ka detyrim ta largojë Saliun në radhë të parë me një moral të ri, si garanci për mirëqeverisjen.

Në fund, kryetari i Partisë Socialiste kërkoi nga anëtarët e sapozgjedhur të Asamblesë Kombëtare që t’i dërgojnë drejtëpërdrejtë propozimet e tyre të mundshme për kryesinë e re të partisë, e cila do të zgjidhet në dhjetor.

Top Channel