“Meta…stazat” e Gjykatës thonë: Ju kanë bërë sytë

19/11/2011 00:00

Andrea Stefani – Mënyra se si një gjykatë po e trajton skandalin e videos Meta-Prifti
është edhe një provë më shumë e kapjes së drejtësisë nga metastazat e
pushteteve politike.

Por rasti në fjalë është edhe më alarmant. Sepse njerëzit kanë parë nëpër ekrane sesi Ilir Meta, në pozicionin e zëvendëskryeministrit, ushtronte presion mbi ministrin e tij Prifti, madje thuajse e urdhëronte të kryente disa allishverishe në dobi të miqve të Metës. Madje edhe në shkelje të hapur të ligjit. Është e vërtetë se disa segmente të asaj bisede nuk dëgjohen qartë. Por, ndërkaq, kjo nuk mund të thuhet për disa segmente të tjera të saj. Dhe vetëm një nga ato ftesa për abuzim, mjafton për ta kualifikuar këdo si të padenjë për mbajtjen e posteve të larta publike. Si të tillë përmendim orvatjen e Metës për ta detyruar Priftin të punësojë një nga të njohurit e tij, edhe pse nuk kishte diplomë. Mos vallë edhe ky episod nuk u dëgjua mirë? Edhe po të ishte ashtu vetë Meta, pak ditë pas transmetimit të videos nga “Fiks Fare” i ka shpjeguar publikut, në një konferencë shtypi, versionin e tij për përmbajtjen e asaj bisede. Meta jo vetëm e pranoi që ajo bisedë ka ndodhur, por bëri “saktësime” edhe mbi atë ç’ka nuk dëgjohet. Meta deklaroi se si kryetar i një partie është detyrë e tij që të punësojë sa më shumë aktivistë dhe militantë të asaj partie. Vërtet?! Kjo na qenka detyra e një lideri partie? Të paktën mirë që e pohojnë me gojën e tyre. Sepse jo vetëm që nuk është në misionin dhe detyrën e një politikani të punësojë sa më shumë militantë në administratën publike, por një dukuri e tillë është sot kanceri i administratës publike, e flakjeve arbitrare të disave dhe punësimit po aq arbitrar të disa të tjerëve. Këto motive të një patriarkalizmi politik që Meta i pranon publikisht si pa gjë të keq, janë shkaku i politizimit të administratës që shqetëson aq shumë Bashkimin Europian, janë rrënja kryesore e korrupsionit në administratën publike dhe e plaçkitjes së administratës nga çdo fitues i zgjedhjeve. Ato s’kanë asgjë të përbashkët me shtetin e së drejtës.

* * *

Shkurt publiku pa dje, me zë dhe figurë, sekuencat e një orvatjeje korruptive nga një zëvendëskryeministër dhe sot, po shikon apo dëgjon për akrobacitë që një gjykatë dhe ca ekspertë shqiptarë pa ekspertizë, bëjnë për teknikat e regjistrimit apo të shkarkimit kompjuterik të skandalit të regjistruar. Detaje teknike kanë dalë në plan të parë, duke lënë në harresë krejt aferën skandaloze. Dhe nën maskën e këtyre pasigurive teknike, kërkohet të fshihet i gjithë skandali që tronditi opinionin publik aq fort sa u bë edhe shtytja e protestave të 21 janarit që u përlyen me gjakun e protestuesve. Ajo që po ndodh në gjykatë me videoskandalin Meta-Prifti është një përsëritje alarmante e dukurisë së dështimit të drejtësisë shqiptare për të ndëshkuar abuzimin dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë të shtetit. Një konfirmim i kapjes së drejtësisë prej pushteteve politike që nuk mund të kamuflohet dot me fushata arrestimesh të zyrtarëve të rangut të ulët sikundër edhe po ndodh këto ditë në sektorin energjetik. Demokracia shqiptare nuk mund të përparojë, nuk mund të çlirohet nga zinxhirët e korrupsionit dhe të mafies nëse nuk ndëshkohet korrupsioni i madh në kokën e shtetit. Jo rastësisht edhe zëdhënësi i BE pak ditë më parë nënvizoi se videoskandali Meta-Prifti është i vetmi rast i korrupsionit të madh që po hetohet dhe bëri thirrje që drejtësia të veprojë në mënyrë të pavarur. Gjë që mjerisht nuk po ndodh për shkak të kapjes se gjykatave nga pushteti. Është për këtë arsye që u refuzua edhe kërkesa e prokurorisë për ekspertizë ndërkombëtare. Të gjitha shenjat flasin se metastazat e pushtetit të Metës dhe Berishës janë shtrirë edhe në gjyqësor. Janë këto metastaza që kanë penguar drejtësinë të hetojë dhe ndëshkojë fajtorët e vërtetë të tragjedisë së Gërdecit lart në qeveri. Janë këto metastaza që penguan gjykimin e megakorrupsionit me rrugën Durrës-Kukës. Janë këto metastaza që po pengojnë edhe hetimin, gjykimin dhe ndëshkimin e vrasësve qeveritarë të 4 protestuesve të 21 janarit. Tashmë në Shqipëri ka një konflikt mes nevojës për të goditur korrupsionin e madh qeveritar në majë të shtetit, dhe përpjekjes që bën një pushtet i korruptuar për ta paralizuar luftën antikorrupsion. Dhe sa më lart në qeveri të jenë skandalet e lakmuara nga drejtësia, aq më e madhe është rezistenca që i bëhet drejtësisë dhe ligjit. Kalbëzimi i shtetit, drejtësisë dhe bashkë me to edhe i moralit, është i frikshëm. Punët kanë arritur deri në pikën kur edhe pse publiku ka parë me sytë e tij aferën e pistë të zhvilluar në zyrën e ministrit, edhe pse e ka parë Metën me bllok në dorë duke listuar afera korruptive, gjykata i thotë publikut: Nuk e ke parë një gjë të tillë. Hans Kristian Anderseni do të mahnitej të shikonte një gjykatë që ia ka kaluar edhe rrëfenjës së tij të “Mbretit Lakuriq”. Sepse publiku në videoskandalin Meta-Prifti ka parë korrupsionin lakuriq, ndërkohë që është gjykata që i thotë të mos i besojë asaj që ka parë! Është ironike të konstatosh se në një kohë që BE i bën thirrje drejtësisë shqiptare të hetojë videoskandalin Meta në mënyrë krejt të pavarur, gjykata po përpiqet të vërtetojë se nuk ka pasur fare videoskandal! Edhe më ironik është fakti se në vetë BE duket se bëjnë sikur nuk e shikojnë këtë kapje të gjykatave nga “meta…stazat” e pushtetit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel