Mashtrimi me peshat, vjedhja u denoncua publikisht

18/11/2011 00:00

Top Channel ka bërë në vazhdimësi denoncime në lidhje me vjedhjet në peshë që u bëhen konsumatorëve shqiptarë nga tregtarët dhe prodhuesit e produkteve ushqimore.

Investigimet mediatike kanë zbuluar më shumë se një herë mashtrimin publik me ushqimet, por një proces hetimor u ndërmor vetëm pasi inspektorët e metrologjisë filluan të vidhnin dhe mashtronin drejtorinë e tyre.

Arrestimet e fundit në këtë institucion zbuluan mashtrimin e tyre me peshat dhe njësitë e tjera matëse në disa prej artikujve bazë sic janë buka, ushqimet dhe karburanti.

Arrestimet e së enjtes erdhën pas një denoncimi të kryer nga vetë kjo drejtori për shkak se ata nuk derdhnin të ardhurat e mjaftueshme në arkën e shtetit dhe nga përgjimi i telefonave rezultoi bashkëpunimi në vjedhje që ata bënin me subjekte tregtare që kontrollonin.

Organet hetimore kanë lënë të hapur zyrtarshit hetimin edhe për këto subjekte, duke deklaruar se, nëse do të vërtetohet se tregtarët vidhnin në peshë me dijeninë e inspektorëve, duke u paguar atyre rryshfet, do të procedohen të gjithë.

Deri më tani, dyshimet për të cilat është vlerësuar edhe masa e “arrestit me burg” nga gjykata mbeten se kontrollet kanë qenë fiktive. Pra, është dhënë raporti se pesha është e rregullt, pa u kontrolluar fare kjo peshë.

Implikimi i tregtarëve, pavarësisht se nuk janë ata denoncuesit, mbetet në dorën e të arrestuarve, nëse do të bashkëpunojnë me prokurorinë për të nxjerrë emrat e tregtarëve që mashtronin me peshën.

Të pandehurit e njësisë taks forcë në procedim penal për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “mashtrim”, pas masës së shpallur në mungesë nga gjykata penale e Tiranës dolën para togave të zeza për t’u njohur me akuzat. Masa e njohjes u bë me dyer të mbyllura dhe pa praninë e gazetarëve.

METE, 9 në pranga për korrupsion

“Task Force” në Prokurorinë e Tiranes ka siguruar prova të mjaftueshme me anë të përgjimit për të arrestuar nëntë zyrtarë të drejtorisë së përgjithshme të meterologjisë.

Mes të arrestuarve edhe zëvendesdrejtori i Përgjithshem i saj, Roland Çelmeta, një nga anëtarët e kryesisë së LSI-së dhe një ndër aktivistet më të njohur të kësaj partie në vitet e fundit.|

Operacioni policor i koduar “Kalibrimi”, ka bërë të mundur të ekzekutojë nënte fletë arreste të siguruara në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.

Zyrtaret akuzohen për korrupsion pasiv, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, vjedhje duke shpërdoruar detyrën si dhe shpërdorim detyre. Kallzimi penal ndaj tyre ishte kryer nga vetë strukturat e kësaj drejtorie, pasi sipas tyre dyshonte se nuk derdhnin në arkën e shtetit të gjitha të ardhurat që përfitohej nga kalibrimi i njësive të peshëmatjes.

Top Channel