Borxhi, reformat mund ta lehtësojnë

18/11/2011 08:15

Borxhi shqiptar i kushton aktualisht mesatarisht 7 për qind të PBB-së në vit shtetit dhe kostoja e tij pritet të rritet në vitet e ardhshme, por disa ekspertë besojnë se reforma të thjeshta liberalizuese mund të mjaftojnë për ta lehtësuar këtë kosto.

Siç informon e përditshmja “Shqip” në numrin e saj të ditës së premte, qeveria pritet të shpenzojë vitin e ardhshëm rreth 500 milionë dollarë për të paguar interesat e borxhit. Shumica e këtyre parave u shkon bankave kryesore në vend, të cilat dominojnë tregun.

Norma e tyre reale e fitimit vlerësohet shumë e lartë në krahasim me koston e lekut në tregun e depozitave. Bankat kanë fuqi të ndjeshme në këtë treg, gjë që pranohet edhe nga vetë Ministria e Financave, si dhe nga Autoriteti i Konkurrencës. Borxhi i brendshëm është 437.6 miliardë lekë në Shqipëri, e barabartë kjo me 50 për qind të depozitave.

Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka hetuar tregun e bonove të thesarit vitin e kaluar, ka dalë në konkluzionin se: “Tregu primar ka barriera hyrje për shumën minimale të pjesëmarrjes për individët dhe zhvendosja e sportelit të shitjes së bonove në tregun primar nga Banka e Shqipërisë te bankat e nivelit të dytë që nga viti 2005 ka rritur barrierat e hyrjes dhe kostot e pjesëmarrjes në ankandet primare të bonove të thesarit për individët dhe bizneset e vogla. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur në favor të depozitimit të fondeve për investime në tregun primar të bonove të thesarit në sportelin e Bankës së Shqipërisë si një mundësi për akses direkt në tregun primar të bonove të thesarit nga individët dhe SME-të”.

Pesha e bankave në tregun e bonove ishte veçanërisht e ndjeshme këtë vit, kur qeveria rriti huamarrjen si pasojë e krizës dhe rrjedhimisht, interesat u rritën, pavarësisht faktit se depozitat qenë rritur gjithashtu.

Rekomandimet për të rritur konkurrencën dhe për të ulur interesat e borxhit publik janë të thjeshta; qeveria duhet të marketizojë më mirë për publikun e gjerë mundësinë e investimit në borxhin publik, duke ofruar produkte të përshtatshme për publikun e gjerë, prag të ulët pjesëmarrjeje apo duhet të hapë për publikun shqiptar mundësinë e investimit në bondet në euro të qeverisë, të cilat janë emetuar përkundrejt interesit prej 7.5 për qind, por që nuk shiten dot për shqiptarët, pasi vlera minimale e investimit është 50 mijë euro dhe vendi i vetëm ku mund të blihen janë bursat ndërkombëtare.

Një pjesë e këtyre bonove në euro janë blerë nga bankat që veprojnë në Shqipëri, të cilat në këtë rast nuk e shohin shumë me leverdi që të kërkojnë kredimarrës të vlefshëm mes kompanive dhe familjeve shqiptare, për shkak se qeveria ofron një investim me interes të lartë e pa rrezik.

Top Channel