Malaj: Ulja e borxhit, me çdo mënyrë

17/11/2011 08:25

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ish-ministër i Financave, deklaroi së fundmi se ulja e borxhit publik shqiptar ka rëndësi parësore dhe çfarëdolloj mënyre që të përdoret për ta realizuar këtë, është e pranueshme.

“Për të ulur borxhin publik, buxheti i shtetit ka nevojë të rrisë të ardhurat. Nëse nuk rezulton e mundur që të rriten të ardhurat mjaftueshëm përmes miradministrimit, duhet të rriten taksat”, tha Malaj në një leksion të mbajtur para studentëve të një universiteti privat.

Më herët, opozita ka deklaruar se dëshiron të ulë borxhin publik, por nuk ka përfshirë rritjen e taksave në opsionet në diskutim për të arritur këtë qëllim.

Rritja e taksave është sugjeruar si një mënyrë e sigurt për uljen e borxhit edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por që është refuzuar nga qeveria.

Borxhi publik i Shqipërisë është aktualisht pranë kufirit maksimal ligjor prej 60 përqindësh të PBB-së ose rreth 7.6 miliardë dollarë.

Qëndrimi aktual i qeverisë është që borxhi të mos ulet deri sa projektet infrastrukturore që ajo ka dëshirë të realizojë, si autostrada Tiranë-Elbasan, të kenë përfunduar.

Por kjo konsiderohet një strategji e rrezikshme, pasi në rast të një krize apo një fatkeqësie natyrore, qeveria nuk do të ketë mundësi të marrë borxh për të kapërcyer situatën e vështirë.

Rreth një javë më parë, Malaj propozoi në kuvend një marrëveshje të gjerë politike për të ulur borxhin publik dhe vënë nën kontroll financat e vendit.

Top Channel