Familjarët: Ekstradoni Kumbaron

17/11/2011 20:25

Familja e biznesmenit të zhdukur shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha, vazhdon t’i bëjë thirrje drejtësisë së Shqipërisë që të ekstradojë nga Anglia, Ilir Kumbaron, i dyshuar për vrasjen e tij.

Djali i Remziut, Ardiani, në një konferencë të mbajtur në Prishtinë, i ka kërkuar Qeverisë së Shqipërisë, siç ka thënë ai, “Qeverisë së Sali Berishës”, që të mos pengojë drejtësinë.

Ai ka kujtuar se babai i tij është zhdukur në kohën kur Berisha ka qenë president, dhe sipas tij, janë njerëzit e tij të perfshirë direkt në këtë ngjarje, e disa prej të cilëve ai i ka vënë nëper poste.

“Është dokumentuar që strukturat e tij janë të përfshirë direkt në këtë ngjarje, me vetë faktin që ishte po ai që i emëroi Bashkim Gazideden e Arben Sefgjinin në poste më të larta shtetërore dhe faktikisht kishte dalë në media dhe ishte prononcuar që derisa të jenë të dënuar, ata nuk janë të fajshëm”.

Gjykata e lartë ne Shqipëri, më 14 tetor la ne fuqi masen e sigurisë “arrest me burg”, e caktuar nga Gjykata e Apelit ndaj ish SHIK-asit, Ilir Kumbaro. Sipas Ardian Hoxhës, familja e tij është mirënjohëse për këtë vendim, porse mbeten të zhgenjyër për shkak se nuk e kanë çuar punën deri në fund dhe kjo mund të ndikojë direkt në procesin e ekstradimit të Kumbaros.

Ndërkohë që ekstradimi i Kumbaros zvarritet, vetëm pak ditë më parë, një gjykate në Shkup e shpalli zyrtarisht të vdekur biznesmenin Remzi Hoxha.

Top Channel