Durrës, pranga mjekëve të volejbollistit

17/11/2011 00:00

Dy mjekë të spitalit të Durrësit janë vënë në pranga për mjekim të pakujdesshëm ndaj volejbollistit të ekipit “Teuta” Juxhin Guza, i cili humbi jetën dy muaj më parë pas një sulmi grabitjeje.

Pasditen e së mërkurës, shërbimet policore të qytetit bregdetar kanë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest në burg” për mjekun kirurg Dalip Cela, 54 vjec dhe mjekun reanimator, Nuri Qyra, 51 vjec.

Prokuroria e Durrësit ka ngritur ndaj dy mjekëve akuzën e mjekimit të pakujdesshëm, pasi dyshohet se më 13 shtator të këtij viti si pasojë e neglizhencës në detyrë dhe mjekimit të pakujdesshëm, ata i kanë shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin shtetasit Juxhin Guza, 24 vjec, i cili ka humbur jetën pas disa orësh në spital.

Guza u qëllua disa herë me thikë nga persona ende të panjohur, ndërsa po kthehej në shtëpinë e tij pak pas mesnate. Ai vdiq nga një hemoragji e brendshme e cila nuk u parandalua në kohë, ndërkohë që familjarët e tij menjëherë ngritën pretendime ndaj mjekëve dhe trajtimit neglizhent që iu bë në spital 24 vjecarit.

Ndërkohë vazhdojnë hetimet për të identifikuar autorët e ngjarjes, ne dispozicion te personave qe do te japin informacion jane 30 mijë eurosh.

Top Channel