Qeveria, borxhlie e keqe

16/11/2011 00:00

Opozita u shpreh e shqetësuar, se qeveria po rrit detyrimet e pashlyera
ndaj biznesit, për shkak të mosrealizimit të të ardhurave në buxhet.

“Mbajtja nën kontroll e deficitit nga moskryerja e pagesave, për shkak se ka mosrealizim të theksuar të të ardhurave ka dëmtuar marrëdhëniet me biznesin, ka sjellë impakte negative në ekonomi dhe në përkeqësimin e marrëdhenies biznes, me sistemin bankar të vendit tonë. E shoh gjithnjë këtë të përkeqësohet për shkak se ju kërkoni të harroni deficitin, duke mbajtur nën kontroll në mënyrë arbitrare një pjesë të shpenzimeve dhe  investimeve”, tha deputeti socialist, Arben Malaj.

Ministria e Financave tha se nuk mban përgjegjësi për bizneset, që kryejnë më shumë punime se plani i përcaktuar në fillim të vitit.

“E vërteta është se nëse ne celim në fillim të vitit një vlerë të caktuar në nivel projekti, Ministria e Financave gjithnjë e ka respektuar atë. Ministria e Financave e merr parasysh, kur bën rishikimet e buxhetit, por nuk mban përgjegjësi nëse punimet e një subjekti të caktuar ecën më tepër sesa plani i caktuar për vitin”, tha Dorian Teliti, nga Ministria e Financave.

Detyrimet e pashlyera ndaj biznesit kanë qenë shqetësim i vazhdueshëm edhe për Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili thotë se ato arrijnë në gati 70 milionë euro.

“Pashë listën e gjithë objekteve që janë vendosur, që i bashkëngjitet ligjit për buxhetit dhe identifikohen në zonën time katër projekte që kanë përfunduar, madje të inauguruara nga tre herë. Dua të di sa përqind e asaj vlere të investimeve zënë faturat për punë të kryera?”, tha deputeti Brace.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Teliti tha: Një informacion më të detajuar përsa i takon faturave duhen pyetur institucionet që zbatojnë projektet. Ministria e Financave financon projektet në plan vjetor”.

Për shkak të borxhit të lartë shume afër kufirit prej 60 përqind të prodhimit kombëtar, qeveria po detyrohet të shkurtojë herë pas here fondet për investimet publike.

Top Channel