BE dhe rritja e saj përmes krizave

15/11/2011 00:00

Geron Kamberi – Kriza e sotme që po kalon eurozona, e cila kulmoi me atë greke, u ka
dhënë hov shumë ideve lidhur me qëndrueshmërinë e mëtejshme të BE, e
madje ka krijuar një shtrat të ngrohtë mendimesh për euroskeptikët.

Përpos rëndësisë dhe seriozitetit të krizës së borxheve të eurozonës dhe ndikimit që do të ketë ajo për të ardhmen e saj, duhet vënë re se historia e BE-së që prej krijimit të saj, ka treguar se është zhvilluar mes krizave apo edhe dështimeve të përkohshme të ideve të ndryshme për thellimin e projektit federalist europian. Por nga ana tjetër kjo nuk e ka penguar atë që të ecë më tej, ku “korsitë e shpejtësisë” ndërroheshin në vartësi të llojit të “makinës”, por edhe të shoferit apo më së shumti edhe të “pasagjerëve” që nuk u pëlqenin të udhëtonin shpejt. Teoritë e “dyshpejtësisë”, gjeometrisë së ndryshueshme” apo “rrathëve koncentrikë” vetëm sa e kanë përforcuar këtë prirje gjatë viteve. Përveç “krizës së përhershme” për një politikë të jashtme e mbrojtje unike, edhe vetë projekti i krijimit të monedhës euro është një ecejake krizash mes besimit e mosbesimit që prej projektit fillestar të ish-ministrit luksemburgas të Financave, Vernier në vitet ‘70 e deri tek kurorëzimi i planit Delor.

Në këtë kuadër, eksperienca historike e ekzistencës së BE-së na ofron një lloj deja vu-je. Në mesin e viteve ’60, kriza e vetos franceze apo “kapriçoja goliste“ ndaj anëtarësimit të Britanisë në BE zgjati jo pak, por afro 10 vjet që prej aplikimit të parë të Anglisë, më 9 gusht 1961 duke lëkundur dhe sjellë jo pak trazime mes anëtarëve të atëhershëm të BE. Ashtu sikur propozimet me karakter të theksuar federalist të ish–kryetarit të Komisionit, Valter Hallshtajn që cenonin parimin e unanimitetit edhe anashkalimin e Këshillit të Ministrave zemëruan sërish Francën, duke shkaktuar të ashtuquajturën “krizë të karriges bosh”, që u evitua nga “kompromisi i Luksemburgut” në mesvitin 1966. Shpesh, edhe marrëdhëniet e tensionuara mes UK dhe BE në mesvitet ‘70 për masën e kontributit të UK në buxhetin e BE e të drejta të tjera të UK çuan nga ana e qeverisë së re laburiste të Uilson deri në referendumin e 5 qershorit të vitit 1975 për praninë ose jo të Britanisë në këtë institucion. Në vitet që pasuan, rinegociatat e vështira 5-vjeçare të qeverise së Theçerit me BE-në nga viti ‘79-‘84 shënuan fillimin e një debati afatgjatë që u kthye në krizë të mirëfilltë gjatë bllokimit të bisedimeve për buxhetin e BE (2007-2013) në qershor 2005 nga ana e qeverisë britanike të Toni Blerit.

Për shkak të karakterit të unanimitetit në vendimmarrje, edhe anëtarja e porsa anëtarësuar e BE-së, Greqia përmes qeverisë socialiste të Papandreut për afro 4 vjet, nga viti 1981-1985, kërcënoi me bllokimin e procesit vendimmarrës, duke kërkuar madje që të bënte referendum e tërhiqej nga BE (në atë kohë KKE), nëse nuk i jepej një status i veçantë brenda tij. Vetëm pas një kompromisi të rritur në vitin 1985, ku Greqisë iu dha mundësia të përfitonte nga IMP (Programi i Integruar Mesdhetar, Integrated Mediterrean Programme–IMP), një shumë të konsiderueshme ndihmash, marrëdhëniet e tensionuara mes Athinës e Brukselit arritën të normalizohen.

Proces i ratifikimit të traktateve të pas viteve ‘90 është një dëshmi tjetër se procesi i rritjes dhe zhvillimit të BE-së ka kaluar përmes sfidave të vazhdueshme. Rrëzimi i Traktatit të Maastrihtit nga Danimarka në referendumin e vitit 1992 dhe fitorja e ngushtë e tij nga ana e Francës risollën retë e një krize tjetër mes BE-së, duke pasur parasysh se ky traktat shënonte krijimin e BE dhe monedhës së përbashkët euro. Për afro 1 vit, përpjekjet e vendeve anëtare të BE arritën që përmes Marrëveshjes së Edinburgut të mundësonin një ratifikim nga Danimarka në referendumin e 18 majit 1993. Edhe Traktati i Nicës, që u rrëzua nga Irlanda për shkak të paqartësive lidhur me neutralitetin e tij, e pështjelloi më tej thellimin e integrimit në prag të zgjerimit në lindje të Europës dhe vetëm pas 1 viti Deklarata e Seviljes, e qershorit 2002, bindi Irlandën për ratifikimin e saj. Por kriza e vërtetë do të ndeshej gjatë dështimit të Traktatit për Kushtetutën e BE-së, për shkak të ‘jo’–së franceze dhe holandeze në vitin 2005 çka solli jo pak trazimin mes BE-së, duke cenuar dhe vënë në pikëpyetje të ardhmen politike të bashkimit. Afro 4 vjet që u shpenzuan me negociata lodhëse nga Samiti i Laeklenit të 2001 e deri në 29 qershor 2004, nuk mjaftuan që të bindnin votuesit francezë e holandezë për një Europë ndryshe. Ridalja nga kjo krizë erdhi vetëm pas një periudhe 3-vjeçare reflektimi, e cila solli si kompromis Traktatin e Lisbonës të 13 dhjetor 2007, që është ende në fuqi.

Nëse i rikthehemi krizës së tanishme të borxheve të vendeve të eurozonës, që ka nxitur ide e hamendje të ndryshme për vetë ekzistencën e BE-së, duhet theksuar se përpos aspekteve të ndërvarësisë ekonomike që solli kriza botërore e vitit 2008, monedha unitare e BE-së vuan mungesën e “shtetit” të saj, si rrjedhojë e dilemës së gjatë mes modelit federalist e konfederalist. Megjithatë, deri në fazën e thellimit të mëtejshëm të integrimit politik, parimi i solidaritetit komunitar që qëndron në bazë të projektit të BE-së po vërtetohet si mekanizmi i duhur për të përballuar vështirësitë që kalojnë vende të veçanta anëtare të Eurozonës. Elementë të tillë si Mekanizmi i Stabilitetit Financiar Europian/European Financial Stabilisation Mechanism (EFSM) dhe instrumenti i Lehtësimi i Stabilitetit Financiar Europian/European Financial Stability Facility, janë bërë tashmë po aq të rëndësishëm sa fondet strukturore që mbështesin prej vitesh vendet anëtare. Vetë fakti që dy nga kryeministrat kujdestarë të Greqisë dhe Italisë, zoti Papademos dhe Monti janë dy ish-funksionarë të BE-së, tregon se ende modeli ngjall shpresë për të kapërcyer vështirësitë.

Nga ana tjetër, çdo përpjekje për të vënë në dyshim perspektivën e Shqipërisë lidhur me integrimin në BE, për shkak të kësaj krize, jo vetëm që duket e parakohshme, por është një alibi. BE ka kaluar shpesh në situata të tilla ku shprehje si: “eurosklerosis”, “lodhje nga zgjerimi”, “kapacitet përthithës” etj., më së shumti kanë pasuruar katalogun e analistëve dhe studiuesve, por nuk kanë cenuar instrumentin e zgjerimit të BE-së në raport me vende potenciale kandidate, ku përfshihet edhe Shqipëria. Rasti i Kroacisë është më se domethënës, pavarësisht luhatjeve të opinionit të atjeshëm. Instrumentet e para-anëtarësimit nga të cilat përfitojnë vendet kandidate dhe fondet strukturore e të kohezionit për vendet anëtare nuk janë borxhe të bankave tregtare, por mbështetje e mirëfilltë pa interes për të ndryshuar fushat e veprimtarisë njerëzore në këmbim të zhvillimit të demokracisë, efikasitetit administrativ dhe vlerave europiane.

Nëse “lodhemi nga BE-ja“ për shkak të këtyre ushtrimeve apo detyrave, natyrisht që ka plot qoshe të tjera për t’u “çlodhur”, por në këtë rast shfajësimi nuk ka lidhje me “krizën e BE-së”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel