Banka Botërore paralajmëron qeverinë shqiptare se kriza e Eurozonës dhe
ngadalësimi i rritjes ekonomike mund të përkeqësojë borxhin publik të
vendit, duke vënë në vështirësi buxhetin.

“Janë rreziqet të rifinancimit. Financimi i borxheve tani është bërë disi i vështirë, sidomos të borxhit të jashtëm. Rrezik mund të jetë edhe rreziku i rritjes së normës së interesit. Gjithnjë ekziston problemi i rritjes së barrës së normave të interesit”, thotë Erjon Luci, ekonomist i Bankës Botërore.

Shqipëria paguan cmimin më të lartë në rajon për borxhin. Në vitin 2010, qeveria shqiptare pagoi 3.4 përqind të Prodhimit Kombëtar vetëm për interesat, kur në ekonomitë e tjera të ngjashme të Ballkanit Perëndimor, ato variojnë nga 0.6 deri në 1.3 për qind. Banka thotë se tkurrja e rritjes ekonomike mund t’i imponojë qeverisë shqiptare të tjera ndërhyrje tek financat publike.

“Ulja e rritjes ekonomike në rajon edhe në Shqipëri, mund të krijojë njëfarë presioni mbi financat për të ulur apo për të axhustuar më tej shpenzimet. Ndikimi negativ është në aspektin e axhustimit të mëtejtshëm”, tha Luci.

Borxhi i qeverisë shqiptare është 2.2 herë më i lartë se sa të ardhurat që ajo mbledh në një vit, tregues ky ndër më të lartit në botë.  

 

Top Channel