Ajri në Tiranë, i ndotur

15/11/2011 16:20

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ripërsëritur shqetësimin e saj se në Shqipëri, në qytetet kryesore e vecanërisht në Tiranë, nivelet e ndotjes së ajrit janë disa herë më shumë se normat e lejuara të Bashkimit Europian.

Në studimin më te fundit të OBSH dhe Institutit të Shëndetit Publik, në Tiranë grimcat e pluhurit në ajër janë 3-4 herë më shumë se norma e BE.

Sipas ekspertit të OBSH, Mihal Krizanovski, si pasojë e ndotjes së ajrit, në Shqipëri vdesin cdo vit nga sëmundjet e rënda të mushkërive 500 persona.

OBSH ka kërkuar nga instituticionet shqiptare të marrin masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Tiranë e qytetet e mëdha pasi po vihet re një rritje e sëmundshmërisë, sidomos e kancereve në mushkëri.

Ndryshe nga herët e tjera, kur alarmi i OBSH binte në vesh të shurdhër, qeveria ka pranuar se moszbatimi i planit të veprimit ka ardhur si pasojë e politizimit të këtij problemi.

Zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino ka pranuar se nuk bëhet fjalë vetëm për bashkëpunim me pushtetin vendor, por dhe për bashkëpunim ndërministror, si Ministria e Transportit dhe e Ekonomisë dhe Energjetikës.

Në takim merrnin pjesë dhe Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe nënkryetari i bashkisë Edmond Panariti.

Të gjithë të pranishmit ranë dakord për nisjen sa më parë të bashkëpunimit për zbatimin e masave që do të sjellin reduktimin e ndotjes së ajrit.

Top Channel