Çfarë sistemi zgjedhor i duhet Shqipërisë?

15/11/2011 00:00

Endri Xhafo – Ndërkohë që Konferenca e Kryetarëve miratoi ngritjen e komisionit për
reformën zgjedhore, Kryeministri Berisha dhe përfaqësues të tjerë të
mazhorancës e kanë bërë të qartë se vullneti i demokratëve është për një
reformë zgjedhore, bazuar në rekomandimet e ODIHR-it.

Rekomandimet, si të 2009-s dhe të 2011-s, janë sigurisht të vyera. Por janë teknike dhe nuk prekin thelbin, sistemin zgjedhor. Kjo është e kuptueshme, por nuk është alibi. Është e kuptueshme, sepse ODIHR-i nuk propozon kurrë ndryshime të sistemit. Përzgjedhja e sistemit zgjedhor është një vendim totalisht sovran, një nga ato vendime institucionale, që kanë efekte të thella në jetën politike të një vendi. Por, asnjë sistem zgjedhor në vetvete nuk është antidemokratik. Ndaj, në të gjitha raportet e ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri, sistemi nuk vihet kurrë në diskutim.

Sistemi, e thënë thjesht, përkthen në mandate, vullnetet e shprehura gjatë zgjedhjeve. Variablat kyç, që luajnë pastaj rol, janë mënyra se si prodhohen mandatet: sistem mazhoritar apo proporcional; formula matematike e shpërndarjes së mandateve (partitë e vogla në Shqipëri kanë vënë tani në diskutim formulën e d’Hondit); numri i deputetëve që del nga një zonë zgjedhore, që mund të rrisë disafish pragun elektoral real (si në rastin e Kukësit në 2009-n); përcaktimi i zonave zgjedhore, që, i bërë në mënyrë jotransparente, “tret” dendësinë e elektoratit opozitar në më se një zonë (siç ndodhi p.sh. në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të 26 majit 1996), etj.

Sistemi mazhoritar uninominal me dy ose një raund, me të cilin Shqipëria zgjodhi pjesën dërrmuese të deputetëve të saj deri në vitin 2005, është më i thjeshti: 1 fletë votimi, pak emra. Ai krijon një lidhje të drejtpërdrejtë, ku deputeti i zonës është përgjegjës përpara zgjedhësve; të cilët dinë kësisoj se kujt t’i kërkojnë llogari. Me këtë sistem votuesit zgjedhin “njeriun” dhe jo partinë. Për rrjedhojë, kandidatët e pavarur, ata që nuk janë anëtarë të asnjë partie, kanë një shans real të zgjidhen. Qeveria që del nga ky sistem, siç është provuar edhe në Shqipëri që prej vitit 1992, është kryesisht homogjene; të paktën mazhoranca është solide dhe nuk varet nga një grusht votash.

Por, ana tjetër e medaljes mund të paraqesë disa “padrejtësi”, shpesh flagrante. Në mazhoritar, deputet zgjidhjet ai kandidat që merr 50%+1 votë. Për rrjedhojë, 49.99% e zgjedhësve, që kanë votuar për kandidatët kundërshtarë, nuk e shohin veten të përfaqësuar në Parlament; interesat e tyre nuk ka kush t’i mbrojë. Kjo përqindje kaq e lartë e votave “të padobishme” ka tendencë të lërë jashtë Parlamentit partitë e vogla. Por, kur bëhet fjalë për parti ekstremiste, ky është një objektiv i kërkuar nga vetë politika (p.sh. në Francë, sistemi mazhoritar me dy raunde lë sistematikisht jashtë përfaqësimit parlamentar Partinë e Frontit Nacional, ndonëse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2002, ish-kryetari Zhan-Mari Lë Pen mori 17.79% të votave në rang vendi).

Po ashtu, në mazhoritar, rezultati përfundimtar mund të jetë paradoksal, duke qenë se zonat zgjedhore, ndonëse me numër të përafërt zgjedhësish, nuk kanë kurrë një numër të njëjtë. Pra, 1 deputet del si nga një zonë me 10 000 mijë votues, edhe nga një tjetër me 7 500 votues. Ndaj në fund mund të ndodhë që partia që ka marrë numrin më të madh të votave në rang vendi, të ketë më pak mandate në Parlament. Kjo ka ndodhur p.sh. dy herë në Britaninë e Madhe, më 1951 dhe më 1974. Por, në një vend ku u “shpik” Parlamenti, kjo u cilësua thjesht si një disfunksionim përjashtimor i një sistemi që vlerësohet i besueshëm. E kundërta në Mongoli, më 1992, ku ndonëse Partia Revolucionare e Mongolisë doli fituese me 57% të votave në rang vendi, vetëm pse mori, në sajë të sistemit mazhoritar, plot 92% të vendeve në Parlament, kjo u konsiderua e padrejtë dhe jo demokratike; sistemi u ndryshua për zgjedhjet e 1996-s.

Në Shqipëri, ligjvënësi e sanksionoi me Kushtetutën e 1998-s korrektimin proporcional kombëtar për partitë e vogla, që merrnin mbi 2.5% të votave në zgjedhje. Numri i vendeve në proporcional u rrit dhe, nga 25, që kishte qenë në zgjedhjet e vitit 1996, u fiksua në 40 (ndërkohë që mazhoritari prodhonte 100 mandate të drejtpërdrejtë). Përjashtoheshin nga shpërndarja e këtyre 40 mandateve shtesë, ato parti që në mazhoritar merrnin 40 deputetë e lart.

Mirëpo në zgjedhjet e vitit 2001, ky sistem “miks” prodhoi të ashtuquajturin efekt të “Dushkut”, që u aplikua gjerësisht në 2005-n. Për të maksimizuar fitoren, partitë e mëdha (mbi 40 deputetë direkt në mazhoritar) u bënë thirrje votuesve të tyre që, në proporcional, të votonin për kandidatin e partisë së vogël. Dhe anasjelltas, partitë e vogla, u bënë thirrje zgjedhësve të tyre, që për zonat njëemërore të mazhoritarit, të votonin për kandidatin e partisë së madhe. Një gjetje tërësisht ligjore, por që u vlerësua si jo morale, për shkak se prodhonte mandate që nuk gjenin bazë reale në elektorat, si p.sh. 11 deputetët republikanë apo 7 deputetët social-demokratë.

Mirëpo në 2005-n thelbi i “Dushkut” ishte, në njëfarë mënyre, loja e grupit. Ndryshimet kushtetuese të 28 prillit 2008, që vendosën sistemin proporcional rajonal, e sanksionuan këtë lojë në ekip, duke favorizuar koalicionet me bazë të gjerë. Por nëse koalicionet janë pasoja, shkaku i këtij ndryshimi kaq radikal, siç është ndryshimi i sistemit, mbetet edhe sot e kësaj dite jo fort i qartë. Pse u ndryshua sistemi? Çfarë u synua të arrihet me këtë? Si do ta përmirësonte funksionimin e demokracisë shqiptare sistemi i përzgjedhur? Dhe pse pikërisht ai, kur ekzistojnë me qindra variante, që burojnë prej tre familjeve të mëdha të sistemeve zgjedhore?

Deri më sot është evokuar synimi për të rritur cilësinë e Parlamentit, nëpërmjet kontrollit të listave. Por një arsye tjetër, më intime, e përbashkët e secilës prej dy partive të mëdha, ka qenë bindja e tyre në fitore, pikërisht për shkak të sistemit. Por socialistët humbën, sepse nuk e zbatuan sistemin, duke refuzuar aleancën me LSI-në. Kurse demokratët dolën më mirë, sepse krijuan një koalicion tepër të gjerë, duke “shtrydhur” çdo votë të mundshme. Një fitore që nuk mund t’u garantonte krijimin e qeverisë, pa aleancën qeverisëse kundër natyre me LSI-në. Sot, edhe për shkak të kësaj aleance, qeveria ka dështuar në synimin e afishuar për të integruar vendin në Bashkimin Europian. Vetë Kryeministri Berisha, ndonëse nuk ka ndër mend të provokojë zgjedhje të parakohshme, është shprehur në një takim të forumit rinor demokrat në Durrës, se vetëm zgjedhjet do ta zhbllokojnë procesin e integrimit.

I huazuar nga Spanja, sistemi proporcional rajonal është provuar efektiv në këtë vend për shkak të kushteve specifike historiko-politike. Rajonalizmi aty është i rrënjosur; vendi është i ndarë në 17 komunitete autonome, që disponojnë një regjim deri diku të gjerë autonomie në raport me shtetin spanjoll. Pra, sistemi proporcional rajonal siguron në Spanjë përfaqësimin në Parlament jo vetëm të partive kombëtare, por edhe rajonale.

I aplikuar në Shqipëri, sistemi nuk rezulton të jetë më i përshtatshmi për vendin. Pikësëpari, synimi i afishuar për të “pastruar” Parlamentin, rezultoi i dështuar. Zonat, megjithëse të reduktuara në 12, – aq sa numri i qarqeve, – ruajtën identifikimin e deputetëve me zonën (deputetët e Shkodrës, të Korçës, të Durrësit etj.). Për këtë arsye, kryetarët e partive futën në lista edhe individë pa shumë nivel intelektual, por që në zonat e “tyre”, për shkak të autoritetit apo parave, pritej të garantonin siguri, organizim dhe njerëz për ruajtjen e votës.

Nga ana tjetër, karakteri “proporcional” nuk e zhduku padrejtësinë e mazhoritarit në raport me partitë e vogla, përkundrazi! Për shkak të formulës së D’Hondit për shpërndarjen e mandateve mes koalicioneve, partitë e vogla u “zhvatën” prej partive të mëdha, kur votat e koalicionit u rishpërndanë brenda çdo koalicioni. Sepse, ato që përfitojnë nga formula, kësaj here e Lagesë, janë partitë e mëdha. Konkretisht, Partia Demokratike siguroi 68 mandate, për një total votash prej 610 463, pra një mesatare prej 8 977 vota/deputet. Ndërkohë Partia Republikane, me plot 31 990 vota, mundi të sigurojë vetëm 1 deputet. Kurse Partia Agrare Ambientaliste me 13 296 vota, asnjë!

Po ashtu, pragu real ndryshoi nga një zonë në tjetrën, nga 3.5% në Tiranë, në mbi 20% në Kukës. Kjo bëri që përveç uzurpimit të votave të partive të vogla, sistemi proporcional rajonal, njësoj si sistemi mazhoritar, prodhoi edhe mjaft vota të “padobishme”.

Për të rregulluar këtë padrejtësi, partitë e vogla duket se janë sot unanime sa i takon propozimit për një korrektim kombëtar. Në një cikël intervistash për “Top Channel”, Arjan Madhi, Luan Rama, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Paskal Milo i pohuan autorit të këtyre radhëve vizionin e tyre për një formulë të re të shpërndarjes së mandateve. Sepse ata janë të ndërgjegjshëm se ndryshimi i sistemit këtë herë do të jetë i pamundur. Jo si alibi e rekomandimeve të ODIHR-it, që nuk kërkojnë ndryshim të sistemit, porse ndryshimi i sistemit do t’i hapte rrugë prekjes së Kushtetutës. Dhe nëse Kushtetuta preket për sistemin zgjedhor, nuk ka arsye të mos diskutohet pastaj për një sërë ndryshimesh të tjera, si zgjedhja e Presidentit të Republikës me votim direkt nga populli, rikushtetutëzimi i KQZ-së, etj. Duke ia njohur instrasigjencën Kryeministrit për ndryshimet kushtetuese, në këmbim partitë e vogla propozojnë një ndryshim të formulës së shpërndarjes së mandateve, e cila, është thjesht një dispozitë në Kod Zgjedhor. Pra, duke ndryshuar vetëm ligjin, sistemi bëhet, sipas tyre, më i drejtë.

Por pyetja që shtrohet është se çfarë duam nga sistemi? Çdo sistem ka avantazhet dhe dizavantazhet e veta. Dilema që duhet zgjidhur është nëse duam një sistem politik bipolar, apo u duhet dhënë një mundësi ekzistence edhe disa partive të vogla.

Nëse do të mundej të qeveriste i vetëm, Sali Berisha do të ishte më i pakushtëzuar në shpërndarjen e posteve ministrore, e madje, dikush do të thoshte, edhe në luftën kundër korrupsionit brenda qeverisë së tij. Gjë që ai nuk mund ta bëjë në një qeveri ku nuk i ka numrat. Por si pragmatist që është, Sali Berisha mund t’i durojë partitë e vogla, për sa kohë ato i sigurojnë atij qëndrimin në pushtetin.

E kundërta, Edi Rama. Ndoshta edhe pse është në opozitë, Edi Rama nuk i duron dot aleatët e tij të vegjël, sarkazmat e Skënder Gjinushit, egocentrizmin e Spartak Ngjelës, mosartikulimin e Nard Ndokës, apo kritikat e Paskal Milos. Edi Ramës i duket humbje kohe të ndajë strategjinë e tij me këta aleatë, që më shumë i prishin se sa i ndreqin punë, e që për shkak të një të kaluare parlamentare, u pëlqen ta mendojnë veten të rëndësishëm.

Kur shtrohet çështja e partive të vogla (apo minoritare), duhet shtruar kjo pyetje: çfarë përfaqësojnë ato? Sepse finaliteti i një force politike është marrja e pushtetit dhe ushtrimi i tij. Një parti që nuk e ka këtë qëllim, ose për arsye objektive nuk do të mundej kurrë ta realizonte, nuk ka as arsye që të ekzistojë. Aq më pak në një vend si Shqipëria, ku partitë e vogla janë histori individuale dhe jo dallime ideologjike të programit. Në këtë prizëm, në Shqipëri duket se të vetmet parti të vogla që koha u ka dhënë një arsye për të ekzistuar, janë Partia Republikane, si parti që mbron interesat e pronarëve (nëse këta të fundit nuk e ndjejnë vetën të zhgënjyer nga kompromiset e kësaj partie me çështjen e pronës); Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, si parti që mbron kryesisht interesat e minoritetit etnik grek; Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, sa kohë do të ekzistojë çështja çame; LSI, që deri përpara pjesëmarrjes në qeveri pozicionohej majtas qendrës së majtë dhe, ndoshta edhe një parti tjetër e qendrës së djathtë, që do të mblidhte të zhgënjyerit e Partisë Demokratike.

Në çdo rast, bipolarizimi i jetës politike shqiptare është një fakt, që do t’i mbijetonte çdo sistemi. Përzgjedhja e këtij të fundit, nën dritën edhe të eksperiencës së dështuar të këtij mandati qeverisës, do të ishte më udhës të bëhej nisur nga synimi për të siguruar një qeverisje të qëndrueshme. Dhe këtë, sikurse e pamë më sipër, e mundëson sistemi mazhoritar. Por, për hir të përfaqësimit minoritar të disa shtresave sa etnike aq edhe sociale të popullsisë, ky mund të kombinohej edhe me një korrektim proporcional; sigurisht, me një numër më të reduktuar se 40 mandate në Parlament. Specialistët e zgjedhjeve e kalojnë me buzëqeshje fenomenin e dikurshëm të “Dushkut”, për të cilin thonë se është gjëja e fundit dhe më e lehtë për t’u eliminuar në një sistem të tillë.

Si përfundim, mund të thuhet se pas më shumë se 20 vjet pluralizëm, janë pjekur kushtet për të ditur me saktësi se cili sistem i vjen më përshtat demokracisë shqiptare. Koha ka treguar se për shkak të rolit kapital në përcaktimin e qeverisjes, sistemi elektoral është padyshim më influenti i institucioneve politike.

Gazeta “Shqip”

Top Channel