Familjarizimi i shqiptareve me aparteidin

14/11/2011 00:00

Andrea Stefani – Në ditën e parë të dhjetorit që po afron, do të jetë edhe përvjetori i
një akti që 56 vjet më parë u bë shkëndija për lindjen e lëvizjes
moderne të të drejtave të njeriut në SHBA.

Roza Parks, një afrikano-amerikane refuzoi, në 1 dhjetor të vitit 1955, t’i bindet urdhrit të shoferit të autobusit që të lironte karrigen ku ishte ulur, në mënyrë që atje të ulej ndonjë pasagjer i bardhë. Sipas një ligji, asaj kohe në fuqi, njerëzit e bardhë dhe ata me ngjyrë ndaheshin në çdo aspekt të jetës, përfshi edhe transportin publik. Shërbimi publik nuk ofronte mjete të posaçme për racat e ndryshme, por ndërkaq, aplikohej politika e hapësirave të veçuara për të zinjtë dhe për të bardhët. Roza Parks vendosi ta shkelë këtë ligj dhe rregull poshtërues që diskriminonte një pjesë të njerëzve të shoqërisë amerikane vetëm sepse ishin me ngjyrë. Në Shqipërinë e sotme “demokratike”, jo pak njerëz poshtërohen dhe diskriminohen në të njëjtën mënyrë për shkak të ngjyrës së tyre. Jo të ngjyrës së lëkurës, por ngjyrës së besimit politik. Dhe duket se e gjithë shoqëria dhe institucionet e saj janë pajtuar me këtë diskriminim që vazhdon prej 20 vjetësh dhe nuk është gjë tjetër veçse një zgjatim i luftës së klasave të shtetit të djeshëm komunist në gjirin e sistemit demokratik.

* * *

Roza Parksit ju dha urdhër nga shoferi i autobusit t’i lëshojë vendin një pasagjeri të bardhë. Ajo nuk u bind, dhe për këtë e arrestuan. Një incident që u bë shkak i një lëvizjeje të paparë për barazi të drejtash humane, që bashkoi të bardhë dhe zezakë dhe që më në fund çoi në rrëzimin e sistemit të aparteidit në SHBA. Në Shqipëri ndodh edhe më keq se kaq, por askush nuk bëzan. Në Shqipëri nuk të çojnë nga karrigia e autobusit, por ama të heqin karrigen e vendit të punës, gjë edhe më e rëndë. Janë me mijëra e mijëra ata shqiptarë që janë urdhëruar nga një pushtet i sapodalë prej zgjedhjeve: çohu dhe lëshoja vendit e punës militantit të partisë në pushtet. Ndodhi edhe tani së fundmi në Bashkinë e Tiranës, ku u spastruan me fshesë të hekurt të gjithë “armiqtë e klasës” të pushtetit demokratik. Edhe pse gjatë fushatës elektorale kandidati i buzëqeshur i demokratëve, Lulzim Basha premtonte se do të punonte me të gjithë qytetarët pa dallim ngjyrimi politik. E vërteta doli se Bashës nuk ja kish qejfi të bashkëpunonte me ca qytetarë socialistë, ashtu sikundër në fakt e kërkonte ligji, humanizmi, e drejta dhe liria. Basha zgjodhi rrugën e aparteidit. Të gjithë e panë edhe në media, se si administratorë të tij nxorën  përdhunshëm nga zyra e tyre dy punonjëse të bashkisë vetëm dhe vetëm se nuk ishin votuese dhe militante të PD-së apo fanatike të pushtetit. Dhe me përjashtim të disa kritikave në media për këtë akt antihuman të pushtetit në Bashkinë e Tiranës, veçanërisht në emisionin “Fiks Fare”, thuajse askush nuk u ndie, nuk doli në mbrojtje të “Roza Parksëve” të Tiranës. Gjë që tregon se dhuna mbi të drejtat e njeriut, mbi të gjitha mbi të drejtën e punës, është tashmë një dukuri me të cilën shumë shqiptarë janë familjarizuar. E di se do të ketë mbështetës të PD-së që duke lexuar këto radhë, do nxitojnë të thonë: Kështu ka vepruar edhe pushteti socialist me demokratët; i ka flakur nga puna për të punësuar militantët e vet. Kjo është e vërtetë. Por çështja nuk është që demokratët t’u përgjigjen socialistëve me të njëjtën monedhë duke u kthyer të majtëve kusurin e luftës së klasave. Nëse një pushtet i majtë që demokratët e akuzonin si jodemokratik ka bërë dhunime të tilla mbi të drejtat e njerëzve, a është ky një justifikim që një krim të tillë ta kryejë përsëri edhe pushteti i demokratëve? Nëse partitë dhe pushtetet e tyre përsërisin gabimet e njëra-tjetrës, si mund të ecë përpara shteti duke i lënë prapa këto gabime?

* * *

Ai diskriminim për shkak të ngjyrës apo besimit politik, është sot një nga gangrenat më të mëdha të shoqërisë shqiptare. Përdorimi i posteve të administratës publike si plaçkë lufte që i rrëmbehet të mundurit në zgjedhje nga fitimtari, është edhe shkaku kryesor i rrënimit dhe politizimit të administratës publike, dukuri aq e kritikuar edhe nga Bashkimi Europian në progres-raportin e fundit. Dhe administrata publike do vazhdojë të bjerrë cilësinë e saj, efektshmërinë e saj, dedikimin ndaj publikut, do vazhdojë të korruptohet dhe të shërbejë si mish për korrupsion, derisa opinioni publik dhe institucionet publike të së drejtës të ngrihen me forcën e ligjit në mbrojtje të të drejtave të nëpunësit civil. Që do të thotë, të ndalojnë dhe kufizojnë me të drejtën që ju jep ligji, arrogancën e pushtetit të shefave të rinj që vijnë e shkojnë në administratën publike bashkë me pushtetet politike. Shqipëria ka nevojë për një lëvizje të fuqishme qytetare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, pavarësisht besimit politik. Kjo do të thotë që shqiptarët të europianizohen, sepse, sikundër nënvizon edhe Fernand Braudel ndërsa analizon qytetërimin perëndimor, europianin e godet, e revolton çdo cenim i lirive të individit. Shqiptarët duhet ta bëjnë të tyren një psikologji të tillë humaniste. Që më në fund, askush të mos guxojë edhe në Shqipëri që të urdhërojë njeriun: çohu se do të ulem unë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel