Besnik Mustafaj në Top Channel

14/11/2011 20:00

Zhvillimet e vrullshme politike në Itali e Greqi, dy vende të Bashkimit Europian, partnerë kryesorë të Shqipërisë u komentuan në studio nga ish-Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj.

Top Channel: Në Greqi Papandreu i ka hapur rrugën një qeverie teknike për të shpëtuar vendin nga falimentimi dhe ndarja, ndërsa në Itali është mbyllur era Berluskoni. Cfarë nënkuptojnë këto ndryshime dhe si lidhen ato me Shqipërinë?

Besnik Mustafaj, ish-Ministër i Jashtëm: Këto ndryshime nënkuptojnë dy gjëra, së pari që dy vendet kanë qenë në një krizë të paarnueshme nga ekipet në pushtet, dhe së dyti funksionimin normal të demokracisë, interesi i kombit, zgjedhësve prevalon mbi interesin e këtyre dy lidërve. Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa interesi i përgjithshëm.

Top Channel: Politikisht dhe ekonomikisht, cfarë do të sjellë në Tiranë kjo erë ndryshimesh e dy shteteve partnere kryesore të Shqipërisë?

Besnik Mustafaj: Janë partnerët kryesorë shqiptarë brenda BE-së. Me të dyja vendet kemi bashkëpunim strategjik. Për herë të parë në këto 2 vende kemi në krye të të dyja vendeve dy bankierë, që shohin në mënyrë të thellë problemet e brendshme, nuk shohin politikën e jashtme. Në rastin e Greqisë, stabilizimi i shpejtë i ekonomisë do të përmirësojë gjendjen e remitancave të emigrantëve shqiptarë. Për Italinë duhet shpresuar që kryeministri i ri, që ka eksperiencë të rëndësishme në Bruksel, të paktën t’i lërë në të njëjtin nivel programet e Italisë në Shqipëri. Në planin politik nuk do të ketë ulje temperature.

Mustafaj: Konsensusi partiak, një sinjal i mirë

Top Channel: Sot edhe Shqipëria njohu zhvillime të papritura, më të rëndësishmet e dy viteve të fundit, një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për të nisur një stinë reformash të bllokuara. Përse tani dhe cfarë ndodhi që palët të bien dakord në vetëm dy orë kur janë zënë për dy vjet?

Besnik Mustafaj: Tani u poqën liderët e partive politike. Asnjë nuk ka ndryshuar në krahasim me dy vjet më parë. Konsensuset prodhojnë një klimë të favorshme për të gjithë shoqërinë. Numri i ligjeve që kërkojnë 3/5 është aq i vogël saqë është e vështirë të besosh se konsensusi është arritur vetëm për ato. Konsensusi nuk duhet të pakësojë vëmendjen e opozitës e të mazhorancës vecanërisht për ekonominë e vendit. Nuk duhet që kjo marrëveshje të cojë në një minimizim të hapësirës demokratike për partitë e vogla, duhet të cojë në një korigjim të gabimeve të 2008-s. Nëse nisemi nga kjo eksperiencë me të drejtë qendrojmë me gjak të ngrirë, nëse bëhet për hir të interesave të vendit, me të drejtë shpresojmë dhe nëse nisemi nga kalendari politik duhet shpresuar tek konsensusi.

Top Channel: A besoni se do të zgjasë kjo marrëveshje dhe cfarë risish do të sjellë?

Besnik Mustafaj: Prakticiteti i njohur i Berishës do të prevalojë dhe besoj se Rama e ka kuptuar rrugën që duhet të ndjekë si për të ardhmen e vendit, ashtu edhe për të ardhmen e tij politike.

Top Channel