Shqipëria drejt limitit të borxhit

13/11/2011 00:00

Shqipëria rrezikon të kalojë kufirin ligjor të borxhit për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike në nivelet më të ulëta historike të viteve të tranzicionit.

Dy ditë më parë fondi monetar deklaroi se rritja ekonomike e shqipërisë këtë vit do të jetë vetëm 2 për qind.

Nëse ky skenar vërtetohet, borxhi i Shqipërisë në fund të vitit e kalon automatikisht kufirin ligjor prej 60 për qind. Kjo pavarësisht shkurtimit masiv të shpenzimeve, që qeveria po bën për të ndalur rritjen e tij.

E thënë ndryshe edhe pse qeveria po shkurton fort fondet për investimet apo zëra të tjerë shpenzimesh, sërish nuk nuk mund ta ndalë dot rritjen e borxhit nëse ekonomia rritet ngadalë. Kjo pasi ecuria e borxhit publik përcaktohet nga tre faktorë, që janë normat e interesit që qeveria paguan për të, deficiti buxhetor, ose borxhi i ri që ajo merr për cdo vit dhe rritja ekonomike.

Nëse dy të parat kanë efekt negativ dhe e rrisin borxhin, rritja ekonomike shërben si kundërpeshë që e ul atë. Por në kushtet kur ekonomia rritet më ngadalë, borxhi bëhet i vështirë për t’u ulur dhe madje vazhdon të rritet.

Këtë vit, deficiti buxhetor pritet të jetë në nivelet më të ulëta historike, 3 për qind e prodhimit kombëtar. Nëse rritja ekonomike do të ishte si para krizës, në nivelet 6 për qind borxhi i vendit jo vetëm që nuk do të rritej krahasuar me 2010-ën, por përkundrazi do të ulej poshtë nivelit 57 për qind. Por kur rritja ekonomike tkurret në 2 për qind sic thotë FMN, me të njëtin nivel deficiti, borxhi kërcën mbi kufirin 60 për qind.

Edhe pse kalimi i këtij kufiri është një sinjal negativ që Shqipëria përcjell në tregjet financiare vendase dhe të huaja, sërish ai nuk është problemi më i madh për financat e vendit. Pasi nuk ka ndonjë diferencë nëse borxhi është 60.1 apo 59.5 për qind.

Shqetësimi real i financave tani është se tkurrja e rritjes ekonomike e ka prangosur Shqipërinë në nivele të larta borxhi dhe e bën të pamundur uljen e tij, duke qenë një burim jo i vogël rreziku për qëndrueshmërinë financiare të vendit.   

Top Channel