Vjedhja në Gjykatë, dyshohet se janë marrë edhe prova të tjera

12/11/2011 00:00

Skandali i vjedhjes në Gjykatën e Krimeve të Rënda mund të marrë përmasa edhe më të mëdha, pasi ka dyshime se krahas shumave prej 50 mijë lekësh dhe 300 eurosh, mund të jenë marrë edhe prova të tjera materiale.

Një grup hetimor i ngritur nga Prokuroria e Tiranës ka këqyrur dhomën e provave në gjykatë, ku fillimisht ka ndërruar bravat, duke i dyllosur. Synohet që brenda një kohe të shkurtër të kryhet inventarizimi i të gjitha provave materiale që ndodhën në këtë dhomë, pasi ka dyshime se disa CD me përgjime mund të jenë zhdukur.

Burime nga akuza kryeqytetase thanë për gazetën “Shqip” se kanë kryer verifikime paraprake, megjithatë do të duhet një kohë për të saktësuar të gjitha provat që mungojnë.

“Do të kryejmë të gjithë inventarizimin e provave që ndodhen në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Është vërtetuar se mungojnë 50 mijë lekë dhe 300 euro, ndërsa provat e tjera janë në proces verifikimi”, thanë burimet nga prokuroria, duke saktësuar se ka dyshime se edhe prova të tjera mund të jenë marrë.

Gjurmët nuk janë të administratës

Ekspertët e kriminalistikës kthejnë përgjigjen e tyre për dy gjurmë gishtash të zbuluara në dhomën ku mbahen provat materiale në Gjykatën e Krimeve të Rënda duke zgjeruar rrethin e personave të dyshuar për vjedhjen e një sasie lekësh në këto ambiente.

Gjurmët thanë burimet jo zyrtare, për Top Channel nuk janë të asnjërit prej punonjësve të gjykatës duke përjashtuar kështu dy punonjës të administratës të cilët ishin edhe të lakuarit kryesorë për këtë ngjarje.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka ngarkuar prokurorin Zeqir Hodo të merret me hetimet e mëtejshme të kësaj ngjarjeje e cila derisa të zbardhet do të mbetet në përmasat e një skandali pasi është ndërhyrë në dhomën ku mbahen provat materiale të Gjykatës së Krimeve të Rënda, një gjykatë që monitorohet me masa të rrepta sigurie si dhe me kamera dhe ku ndodhen edhe prova të rëndësishme, sikurse përgjimet.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është përfshirë edhe komisarieti numër 3 që mbulon territorin ku ndodhet selia e Gjykatës së Krimeve të Rënda, por të kontaktuar nga Top Channel, drejtuesit e saj nuk dhanë asnjë koment për veprimet që ata po kryejnë.

Në rrugë jo zyrtare mësohet se është marrë në pyetje kancelari i gjykatës, një punonjës i administratës si dhe magazinierja, të cilët kanë  shpjeguar detyrat e tyre në lidhje me mënyrën si administrohen provat dhe kush e mban celësin universal të kësaj gjykate.

Ndërkohë pavarësisht se Ministria e Drejtësisë deklaroi nëpërmjet zyrës së shtypit se brenda 24 orësh do kishte masa administrative për personat përgjegjës për këtë ngjarje, edhe pse kanë kaluar katër ditë  deri më tani nuk ka asnjë masë konkrete.

Të martën kryetarja e komanduar e kësaj gjykate, Etleva Deda njoftoi me urgjencë Ministrinë e Drejtësisë se në dhomën e provave ishte hapur brava dhe në zyrën që Top Channel e filmoi ishin vjedhur 50 mijë leke dhe 300 euro, pjesë e dosjes së të pandehurit Arben Veliko, nën akuzë për cështje droge.

Menjëherë Ministria e Drejtësisë dërgoi dy inspektorë për verifikime të mëtejshme, ndërkohë që jo zyrtarisht u deklarua se po kontrolloheshin të gjitha provat për të parë nëse ka apo jo ndërhyrje në prova të rëndësishme. Ajo që dihet është se hajduti nuk ka marrë asnjë send me vlerë mes të cilave 10 ora Rolex të sekuestruara dhe një unazë me diamant .

Për mediat kryetarja e gjykatës deklaroi se ky veprim ishte një sabotim i punës së Krimeve të Rënda dhe i dyshuari kryesor ndodhet brenda mureve të gjykatës. Por pavarësisht kësaj deklarate, hetuesit nuk kanë dalë ende në konkluzione të vlefshme që do të hidhnin dritë mbi këtë ngjarje.

Halimi: Masë për Etleva Deden

Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi i  ka kërkuar pasditen e së premtes, me anë të një shkrese zyrtare Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedimin disiplinor ndaj kryetares së komanduar të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Etleva Deda.

Gjithashtu, ministri i Drejtësisë ka firmosur shkarkimin e një prej kancelarëve nga kjo gjykatë. Ky zhvillim i fundit për cështjen e grabitjes së dhomës ku mbahen prova është mësuar nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Këto masa të marra nga ministri Halimi, thanë burimet, vijnë pas inspektimit që u ndërmorr pas kësaj grabitjeje, ende pa autorë, disa ditë më parë në një prej gjykatave që supozohet të jetë më e ruajtura dhe më e sigurta në Shqipëri.

Top Channel