Shtiren si policë, kryejnë tri grabitje

12/11/2011 00:00

Të prezantuar si punonjës policie kanë kryer tri grabitje brenda një nate, duke dhunuar viktimat e tyre dhe kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes policore.

Bëhet fjalë për një grup prej tre vetash, që mendohet se lëviznin me një makinë “Mercedes Benz”, të cilët kanë kryer tri vjedhje me armë dhe dhunë gjatë natës së mërkurë, duke u gdhirë dita e enjte.

Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në Tiranë, duke tronditur rendin dhe qetësinë, ndërkohë që e gjithë policia është ngritur në këmbë për kapjen e tyre, por pa sukses. Burimet policore shpjegojnë se vjedhja e parë me armë është shënuar pak para mesnate në afërsi të fabrikës së miellit, pranë Unazës së Re.

Tre persona kanë ndaluar në rrugë një të ri, duke iu prezantuar si punonjës policie. Atij i kanë kërkuar të japë dokument identifikimi dhe kur ka nxjerrë portofolin, tre të dyshuarit kanë nxjerrë pistoletën dhe e kanë goditur me grushte të riun. Më pas ata i kanë marrë gjithçka kishte me vete dhe janë larguar me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira.

Sapo ka marrë veten, i dëmtuari ka njoftuar policinë dhe ka bërë kallëzim në komisariatin përkatës, ndërkohë që uniformat blu kanë rrethuar zonën, me qëllim kapjen e të dyshuarve. Por kur policia kërkonte të dokumentonte rastin e parë, pak pas mesnate janë njoftuar për një rast të dytë.

Një telefonues në sallën operative ka shpjeguar se pranë shkollës “Vasil Shanto” ishte i shtrirë një person i gjakosur. Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë kontakt me të dëmtuarin. Ai ka deklaruar se kishte qenë pre e një grabitjeje me dhunë dhe armë. Madje, gjatë bisedës me punonjësit e policisë ka rrëfyer mënyrën sesi e kishin vjedhur, kështu që uniformat blu kanë krijuar idenë se ishin të njëjtit persona.

Madje, i dëmtuari i dytë ka mundur të shpjegojë detaje për mjetin, me të cilin ishin larguar të dyshuarit, që dyshohet se është “Mercedes Benz”, ngjyrë gri, me targa të Tiranës. Por nuk ka përfunduar me kaq. Dy të dëmtuarit janë paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe kanë deklaruar se çfarë kishte ndodhur, duke dhënë detaje për autorët, ndërkohë që grupi i punës ka shoqëruar disa të dyshuar. Ata janë ballafaquar me të dëmtuarit, por deri në orët e vona të natës, nuk është arrestuar asnjë prej tyre.

Ndërkohë, po gjatë natës ka ndodhur edhe një tjetër vjedhje, me të njëjtin mekanizëm, pranë zonës “Kodra e Diellit”. I dëmtuari nuk ka denoncuar, por nga biseda e kryer me të dyshohet se kanë qenë të njëjtit autorë. Ngjarjet e rënda kanë tronditur jo vetëm policinë, por edhe qytetarët, pasi shprehen se mund të bien pre e grabitjeve, teksa autorët prezantohen si punonjës policie.

Gazeta Shqip

Top Channel