Durrës, tatimet godasin bizneset pa kasa

11/11/2011 08:30

Tatimorët bllokojnë aktivitetet dhe paralajmërojnë konfiskime dhe kallëzime penale për shkelësit e ligjit, pas një aksioni të një shkalle të gjerë në Durrës, bëri të ditur gjatë të premtes gazeta “Shqip”.

Pas gjobave të vëna më parë dhe përsëritjes së fenomenit të mosregjistrimit të shitjeve, tatimorët kanë pezulluar aktivitetin e disa lokaleve pranë monumentëve të Dëshmorëve dhe lagjeve të tjera në qytet.

Shkëlqim Fortuzi, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Durrës, bëri të ditur se nga strukturat e drejtorisë së hetimit tatimor, në bashkëpunim me sektorin e verifikimit në terren është bërë ekzekutimi i katër urdhrave të bllokimit të aktivitetit për katër subjekte tregtare në qytetin e Durrësit.

Subjektet e bllokuara kryejnë aktivitete në bar-restorantet e zonave më të frekuentuara të qytetit, si Rruga Tregtare dhe zona e Currilave. Këto subjekte janë penalizuar nga struktura e verifikimit në terren për mos lëshim të kuponit tatimor dhe pasi janë gjetur në shkelje për më shumë se 3 tri herë është bërë edhe bllokimi i veprimtarisë.

“Në rast se nga subjektet do të prishen shenjat dalluese të bllokimit të aktivitetit të vendosura nga administrata tatimore do të merret masa e konfiskimit të mallrave dhe kallëzimi penal në organin e prokurorisë. Urdhrat e bllokimit për këto subjekte janë nxjerrë, pasi ato janë gjendur në shkelje të nenit 122 të ligjit nr. 9920 i ndryshuar ‘Për procedurat tatimore në RSH’”, paralajmëroi Fortuzi.

Mësohet se kontrollohet do të vazhdojnë në të gjithë Durrësin, duke u përputhur me një fushatë kombëtare kundër ekonomisë informale.

Top Channel