“Belle Air”-“Alitalia”, ndizet konkurrenca

11/11/2011 08:40

Me revokimin e lincensës për kompaninë “Albanian Airlines”, ndryshon edhe terreni i lojës në tregun e fluturimeve ajrore, ku tashmë pritet të zhvillohet një betejë e fortë mes shoqërive për zotërimin e linjave.

Në mënyrë krejt të papritur, autoritetet më të larta të aviacionit civil europian ndërmorën një masë ekstreme ndaj shoqërisë së fluturimeve në fjalë, duke i revokuar licencën, për shkak të mungesës së garancisë financiare.

Sikurse kishte njoftuar më herët gazeta “Shqip”, në takimin e shumëpritur me shefat e Komitetit të Sigurimit Ajror, u morrën disa masa të forta edhe ndaj kompanisë tjetër të madhe, “Belle Air”.

Nëse kësaj të fundit i është pezulluar e drejta e fluturimit të një avioni, nga pesë që disponon gjithsej, ndëshkimi më i rëndë ka ardhur ndaj kompanisë së drejtuar prej Ali Evsen (Albania A.), aktualisht me arrest shtëpie (dha garanci 18 milionë euro) në Spanjë, me akuzën e pastrimit të parave.

Pikërisht këtu nis edhe zanafilla e dyshimeve të autoriteteve të BE-së, pasi garancia e vendosur nga bosi turk prej 3 milionë eurosh, kusht ky për masat e nevojshme të fluturimeve ajrore, nuk e ka bindur Komitetin e Sigurimit Ajror, e cila vendosi dje paradite, rreth orës 10.00 revokimin e licencës deri në plotësimin e kushteve për tre avionët e shoqërisë, të cilat mbajnë flamurin shqiptar.

Pra, ndëshkimi ka ardhur për katër avionë, ku një i takon “Belle Air” për mungesë të kushteve teknike dhe tre avionë të “Albanian”-it për mungesë garancie të nevojshme.

Lajmin për heqjen e të drejtës së fluturimit për të dyja shoqëritë e dha dje i pari në seancën plenare të Parlamentit, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

Gazeta mëson se në mbledhjen e Brukselit ishte i pranishëm vetë Ministri, i shoqëruar edhe nga drejtori i autoritetit të Aviacionit Civil, Ervin Mazniku dhe nga përfaqësuesit e dy shoqërive.

Gjatë dhënies së vendimit, i pranishëm ishte vetëm Mazniku dhe dy shoqëritë, kurse Olldashi kishte mbërritur më herët në Tiranë për të dhënë lajmin, i cili për autoritetet shqiptare konsiderohet surprizë.

Çfarë ndodh me pezullimin e “Albanian”-it?

Kompania e bosit turk, Ali Evsen, ka të drejtë të qëndrojë pezull deri në rikuperimin e dokumentacionit me kushtet financiare dhe teknike, të cilat zgjasin deri në 5 muaj ose t’i vërë në punë linjat e saj, duke ia ofruar ndonjë shoqërie tjetër, kundrejt përfitimeve.

Ekspertët e fushës gjykojnë se kompania “Albanian Airlines”, e cila drejtohet nga “Evsen Group”, me seli në Azerbajxhan, ka shumë mundësi që avionët e saj dhe linjat t’i japë në përdorim për një tjetër kompani, e cila ofron më tepër para.

Gjasat janë që gara të zhvillohet mes “Belle Air” dhe kompanisë italiane (që kontrollohet kryesisht nga francezët), “Alitalia”-s. Duke qenë se tashmë “Belle Air” është e vetmja kompani e mbetur shqiptare dhe nga rreziku i ndonjë sanksioni për monopol, shanset që ‘garën’ për kontrollin e linjave të “Albanian”-it ta fitojë “Alitalia”, e cila zotëron fluturimet drejt Italisë.

Tregu i linjave me shtetin fqinj po zhvillohet në kushtet e një presioni të madh, pasi vetë “Albanian”-i kryente 6 fluturime në ditë, me një volum pasagjerësh prej 1 mijë vetash dhe ku norma e fitimit nuk ishte më e ulët se 50 mijë euro në ditë.

Është pak të dyshosh që italianët dhe francezët, me mbështetjen e spanjollëve (prokuroria e këtij shteti mban peng financat e Ali Evsen), të kenë luajtur një rol kyç me anë të lobimeve për pezullimin e licencës dhe kontrollin e linjave me vlerë disa milionë euro fitime neto.

Dyshimet shtohen kur dihet se kompania e Evsen, e cila zotëronte gati 18 për qind të tregut, ishte përgatitur të shtonte edhe dy linja të reja me Italinë (Firence dhe Romë) për në muajin dhjetor dhe ku çmimet e biletave ishin shumë e më tepër konkurruese se e kompanive të tjera.
 

Zyrtarët shqiptarë të aviacionit civil janë shprehur të habitur me vendimin e Brukselit, ndërsa sqarojnë se vendi ynë nuk ndikohet aspak nga ky pezullim. Autoriteti shqiptar i Aviacionit Civil monitoron tregun, e mbikëqyr atë, dhe raporton në BE, kur lind nevoja për situata të ndryshme. “Ky është problem i kompanive, dhe sa u takon biletave të prera më herët, është vetë shoqëria që bën kompensimin, duke ua kaluar si shërbim linjave të tjera”, shprehet autoriteti.

Top Channel