“Albanian Airlines”, AAC: Bllokimi, arsye sigurie

11/11/2011 20:00

Autoriteti i Aviacionit Civil, përmes një njoftimi zyrtar bëri të ditur se ka tërhequr licencen e operimit për kompaninë “Albanian Airlines”, si dhe ka pezulluar edhe një avion të kompanisë “Belle Air”, për arsye sigurie.

Autoriteti thotë se ndërhyrja është në ushtrim të funksionit dhe detyrimeve për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e avionëve që bëjnë pjesë në Regjistrin Aeronautik të Republikës së Shqipërisë.

Në njoftim thuhet se, “Autoriteti ruan si prioritet kryesor sigurinë ajrore dhe interesin më të mirë të pasagjerëve, ndaj mbetet i vendosur të ushtrojë rigorozisht detyrën dhe funksionet e tij, si dhe të kërkojë po rigorozisht respektimin e kritereve dhe standarteve nga të dy operatorët”.

Në fund, Autoriteti bën të ditur se vendimi i tij i është komunikuar edhe Komitetit të Sigurisë Ajrore pranë Komisinit Europan.

Kompania: Vendimi i padrejtë

Por kompania ajrore e e bllokuar nga Autoriteti i Aviaiconit Civil, “Albanian Airlines” deklaroi se ka ankimuar vendimin, që sipas saj është i padrejtë dhe në shkelje të plotë me ligjin.

“Vendimi që ne kemi ankimuar është i padrejtë dhe ilegal. Procedurat e ndjekura nga Aviacioni Civil kanë qenë në shkelje me ligjin për aviacionin civil”, deklaroi Altin Vrapi, drejtor ekzekutiv i “Albanian Airlines”.

Krerët e “Albanian Airlines” thonë se vendimi i Autoritetit të Aviacionit Civil për bllokimin e saj nuk ka lidhje me standartet e sigurisë, por bëhet për një tjetër arsye.

“E kanë marrë këtë masë në kundërshtim me ligjin për të mbyllur para Komisionit Evropian mangësitë që kanë në realizimin e ekspertizës së mbikëqyrjes ndaj aviacionit shqiptar. Kjo masë është marrë vetëm ndaj nesh dhe asnjë operatori tjetër”, nënvizoi Vrapi.

“Albanian Airlines” thotë gjithashtu se të gjitha kontrollet e kryera nga strukturat e Bashkimit Europian e kanë gjetur kompaninë në përputhje me standartet.

Tregu shqiptar i fluturimeve ka njohur një rritje të fortë gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, vitin e kaluar numri i udhëtareve arriti rekordin 1.5 milionë veta, në një treg i cili qarkullon qindra milionë euro në vit.

Sipas të dhënave, tregu dominohet nga “Belle Air” me 43.9 për qind, në vend të dytë nga numri i pasagjerëve renditet “Alitalia” me 10.6 për qind dhe në vendin e tretë kompania e sapobllokuar “Albanian Airlines” me 7.4 për qind.

Top Channel