Pensionet, “sulmi” mbi financat

10/11/2011 00:00

Në vitin 2002 qeveria shqiptare miratoi një ligj që rriste moshën e
daljes në pension me 5 vjet, si për burrat ashtu edhe për gratë.

Sipas ligjit, mosha e daljes në pension rritej gradualisht me 6 muaj në vit për një periudhë 10-vjecare. Ligji kishte dy qëllime. Së pari të lehtësonte buxhetin nga pagesat për pensionet, duke ulur vitet e përfitimit. Dhe së dyti, t’i shtynte në kohë këto pagesa, pasi rritja graduale e moshës përgjysmonte numrin e atyre që dilnin në pension cdo vit.

Tani reforma po shkon drejt fundit të saj, pasi vitin e ardhshëm rritja graduale e moshës përfundon. Kjo bën që në 2012 numri i atyre që dalin në pension të dyfishohet krahasuar me këtë vit, nga 13 në 27 mijë. Por ky nuk është problemi i vetëm. Shumë shpejt Shqipëria do fillojë të ndjejë efektet e para të plakjes së popullsisë.

Për shkak të bumit të lindjeve në periudhën pas luftës, më saktësisht në vitet 50, Ministria e Financave vëren me shqetësim se duke filluar që nga viti 2014 numri pensionistëve të rinj do të rritet edhe më shumë. Kjo në një kohë kur punësimi jo vetëm që nuk rritet, por bie.

Aktualisht Shqipëria ka 929 mijë vetë, që qeveria thotë se janë të punësuar, ose 43 mijë më pak se sa dy vjet më parë. E thënë ndryshe më pak njerëz që paguajnë kontribute dhe më shumë pensionistë që duhet te paguhen.

Cdo vit qeveria paguan me shume per pensionet

Qeveria po detyrohet që cdo vit të rrisë transfertën në fondin e pensioneve, për shkak se deficiti i skemës thellohet me ritme të shpejta. Krahasuar me vitin 2000 shpenzimet për pensione janë rritur nga 3.6 në 4.3 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Në të njëtën kohë, kontributet kanë rënë nga 3.3 në 2.9 për qind. Kjo bën që cdo vit shqipëria të shpenzojë rreth 1.4 për qind të prodhimit kombëtar për të mbuluar gropën e pensioneve. Dhe kjo jo se pensionistët shqiptarë marrin pensione të larta, përkundrazi ata janë të keqpaguar. Sipas të dhënave të FMN, pavarësisht rritjeve, pagesa që përfiton një pensionist në fshat është vetëm sa 16.3 për qind e pagës mesatare, ndërsa ajo e një pensionisti në qytet është sa 29.3 për qind.

Shqipëria vazhdon prej vitesh ta shtyjë reformën e pensioneve, por sa më shumë ajo zvarritet, aq më të mëdha bëhen kostot. Për sa kohë politika nuk bie dakord se cfarë do të bëjë me pensionet, skema do vazhdojë të marrë cdo vit qindra milionë dollarë nga taksat, derisa të bëhet e papërballueshme për buxhetin.  

Top Channel