KESH në vështirësi financiare

10/11/2011 08:50

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, kompania nën pronësi. shtetërore që kryen furnizimin me energji elektrike të vendit, është aktualisht në vështirësi financiare dhe ka kërkuar trefishim të çmimit me të cilën e shet energjinë, një rritje kjo që duket se është e vetmja zgjidhje.

Sipas gazetës “Shqip”, KESH ka kërkuar zyrtarisht nga Enti Rregullator i Energjisë, t’i rritet çmimi me të cilin shet energjinë te OSSH-ja, nga 1.48 lekë që është për vitin 2010, në 5.03 lekë për vitin e ardhshëm, por vetë drejtori i ERE-së ka deklaruar më herët se nuk ka ndër mend ta rrisë çmimin.

Çmimi prej 1.48 lekësh mjafton për të mbuluar koston e prodhimit të energjisë elektrike me hidrocentrale, por nuk mjafton për të paguar faturat e importit të dritave.

Skema aktuale e tregut të energjisë elektrike, që u krijua pas privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, e ngarkon KESH-in me detyrimin për të furnizuar shpërndarjen me një sasi të caktuar energjie, pavarësisht sasisë së prodhimit në hidrocentrale.

KESH pati të ardhura të bollshme gjatë vitit 2010, kur qe në gjendje të furnizonte CEZ Shpërndarjen dhe të eksportonte një pjesë të konsiderueshme të prodhimit të vet me çmime të larta në tregun rajonal.

Bilanci i korporatës nuk është publik, por Ministria e Financave thotë se në maj të këtij viti, KESH kreu pagesën e tatimit mbi fitimin në masën 1,147 milionë lekë (rreth 8 milionë euro), gjë që nënkupton që fitimet e saj për vitin 2010 kanë qenë neto rreth 80 milionë euro.

Si pasojë e kësaj, ERE-ja ia uli çmimin e shitjes KESH-it për t’ia rritur Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

Por këtë vit, KESH nuk pati mundësi të prodhonte aq sa në vitin 2010 dhe aktualisht po importon 10 milionë kWh në ditë, me një kosto prej afërsisht gjysmë milioni euro në ditë.

Plotësimi i kërkesës së KESH-it për rritjen e çmimit të energjisë për vitin 2012 mund ta rrisë çmimin final, që aktualisht është rreth 10 lekë për kWh, në masën 30-40 për qind.

Zgjidhja tjetër që i mbetet qeverisë për të shmangur rritjen e çmimit është financimi i KESH-it nga buxheti i shtetit, por shuma e përgjithshme e nevojshme për të mbuluar importimin e energjisë elektrike arrin në dhjetëra milionë euro, ndërsa buxheti i shtetit është aktualisht në vështirësi, pa pasur nevojë për faturë shtesë.

Pak ditë më parë, një raport i Bashkimit Evropian vlerësonte se Shqipëria ka mbetur në vendnumëro përsa i përket zhvillimit në fushën e energjitikës.

Top Channel