PS, propozimet për ligjet me 3/5

09/11/2011 00:00

Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend propozimet për ligjet që
kërkojnë tre të pestat e votave. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS,
Fatmir Xhafaj, i dorëzoi propozimet kryetares së Kuvendit Jozefina
Topalli dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmaili.

Deputeti Xhafaj shpjegon alternativat që propozon opozita në zhbllokimin e ngërcit, për miratimin e këtyre projektligjeve.

“Ne kemi bërë dy propozime. Alternativa e parë është të ngrihet një komision ‘ad hoc’, pranë Komisionit të Ligjeve, që është në përputhje me nenin 22 të rregullores së Kuvendit, mbi funksionimin e komisioneve të kësaj natyre. Kuvendi e ka në rregullore, por nuk e ka patur në praktikën e deritanishme, që të mundë të ngrejë një komision të tillë për një nismë ligjvënëse, për të bërë një debat më të fokusuar për ligjin përkatës. Kjo do të ishte edhe rruga që do ta përshpejtonte procesin do ta bënte më transparent, më gjithëpërfshirës dhe shumë më profesional”, tha Xhafaj.

Ekspertët e cështjeve ligjore në PS i kanë ndarë ato në tre grupe. “Grupi i parë i projektligjeve janë ato që kanë më pak debat, përsa i përket qëndrimit politik, që mund të mbahet, por që gjithashtu ka nevojë për ndërhyrje, për amendamente dhe për të ndërtuar edhe për to një proces të gjerë konsultativ dhe që janë kodet që janë kodet: ajror, detar, rrugor e hekurudhor. Grupi i dytë janë projektligjet që lidhen me Kodin Penal, Kodin Civil dhe natyrisht është një grup i tretë ku bën pjesë edhe ligji për Gjykatat Administrative”, tha Xhafaj.

Zoti Xhafaj shprehet optimist, se mazhoranca do të bëjë hapat e duhur për miratimin e ketyre ligjeve.

“Ata bënë një tërheqje që nënkupton një rimodelim të qasjes së tyre ndaj këtyre projekteve dhe ne iu përgjigjëm këtij hapi dhe këtij reagimi të mazhorancës me një propozim konkret për ta filluar menjëherë këtë proces”, tha Xhafaj. Propozimet jane shoqeruar edhe me nje kalendar kohor per secilin nga projektligjet.

Top Channel