Kur krimet rriten dhe shteti krihet

08/11/2011 00:00

Pjerin Ndreu – Që kriminaliteti ka të tretin vit radhazi që ka marrë tatëpjetën, këtë 
askush më nuk e vë në dyshim, përveç ministrave të Brendshëm të qeverisë
Berisha, që të indoktrinuar nga shefi i tyre, ju duket çdo gjë histori
suksesi, bile dhe kur bilanci i vdekjeve është i tipit Kandahar

Është amorale që krimi merr përmasa të frikshme, ndërsa ministri i radhës flet pa pikën e përgjegjësisë, duke shpërfillur dhe statistikat që vetë Policia e Shtetit, që ai ka poshtë vetes, nxjerr. Por, jo për publikun ama. Sepse ka plot dy vjet që dikush, ose më saktë i bie që të ketë qenë Luli i bashkisë (kur drejtonte Ministrinë e Brendshme), ka dhënë urdhër të prerë që asnjë shifër kriminaliteti të mos publikohet në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit në internet. Këta që e “duan” shumë qytetarin, kanë menduar që njerëzit të jenë të painformuar. Unë i gjeta statistikat zyrtare me shumë mund, falë njohjes që kam me disa eksponentë të policisë që në kohën kur punoja atje. Por dhe ata, të terrorizuar, a thua se po më sillnin mua minën me sahat për të vrarë dikë. Policët kanë frikë sot nga politika që i drejton, duke na kujtuar hijen e Koci Xoxes në korridoret e Ministrisë së Brendshme. Gjithsesi, le t’i kthehemi argumentit me shifra zyrtare, statistikave që vetë policia ka hartuar, të cilat njerëzit nuk kanë nga i dinë e as lexojnë.

Këto janë disa nga shifrat 9-mujore që prekin drejtpërsëdrejti sigurinë e jetës dhe të pronës. Ajo që vihet re është se në 2009 kishim 8498 krime të evidentuara, në 2010-n kishim 11 213 dhe këtë vit kemi 13 240. Afërsisht 5000 krime më shumë për dy vjet. Dhe prapë ministri i radhës thotë është normale!!! Në fakt, ka të drejtë, sepse nuk është bërë ndonjëherë ai viktime e krimit, por janë taksapaguesit që mbajnë atë dhe suitën e tij me tesera të PD-së e me grada të pamerituara në punë, që i hanë në kurriz pasojat e kriminalitetit. Në fakt, Lulëzimi i kriminalitetit i bie më shumë në kohën e Lulit, që mos t’i biem në qafë Nishanit. Vrasjet kanë marrë përmasa të pazakonta. Për 9 muaj janë 93. Por këto ditë kanë arritur në 110. Zoti e di se kur do të ndalen. Kjo tregon se siguria e jetës së shtetasve është në shkallën minimale. Ndonëse çdo vit kishim tregues të zbulimit të vrasjeve të ndodhura vite më parë, asnjë rast këtë vit nuk kemi të shënuar në komunikatat e policisë që kanë të bëjnë me zbulimin e mijëra vrasjeve që kanë ndodhur vite më parë. Tashmë kapacitetet e policisë që merren me këtë punë janë të demotivuara, të dorëzuara përfundimisht para misionit dhe detyrës së tyre për t’i zbuluar këto krime, sepse zbulimi i tyre ka një rol të rëndësishëm në parandalimin e krimeve. Drejtuesit e policisë të trembur për vdekje nga politika harxhojnë kohën më shumë me manipulime të këtyre evidencave dhe me gjithë ndërhyrjet dhe falsifikimet që bëhen, serish gjendja paraqitet katastrofale. Vjedhjet me dhunë dhe me armë gjithashtu janë rritur, po kështu vjedhjet e makinave, firmave private e vjedhjet e banesave etj. Armëmbajtja është bërë njëlloj si lekët e hekurit në xhepat e kontingjentit të krimit etj. Nuk është problem se është shtuar një apo dy, por pothuaj të gjitha veprat penale dhe kriminaliteti në tërësi. Kriminaliteti dukshëm ka një trajektore rritjeje të pazakontë. Në Shqipëri vriten deputet, gjyqtarë, policë, kryetarë komunash, biznesmenë. Ngjarjet janë akoma të pazbuluara dhe prapë ministrat tanë hulludisen qetësisht në studio televizive, duke treguar përralla për suksese imagjinare sa as djali im 8 vjeç nuk i kapërdin më. Dhe sa kohë do të vazhdojë kalvari i pafundmë i vrasjeve, vetëvrasjeve dhe aksidenteve automobilistike? A janë jetë të humbura këto? Kush e paska luksin që qetësisht të mburret e krekoset duke na mbushur mendjen se situate e rendit është në normalitet, kur njerëzit vdesin si në luftë? A ka ardhur koha që më së paku t’i thërrasin ndërgjegjes njerëzore këta politikanë e të jetojnë me dhimbjen e të afërmve të familjarëve të viktimave nga krimet e shpeshta? Do ta lë këtu këtë shkrim, se për pak ditë do na duhet të rimerremi përsëri, pasi mbyllet viti dhe trendi është dukshëm alarmant, me shpresën se dikë do ta vrasë ndërgjegjja për katrahurën që ka mbjellë duke korrur si sukses tragjikisht jetë njerëzish.

Autori: Ish-zv/drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Gazeta “Shqip”

Top Channel