Kërcënon prokurorin në sallë

08/11/2011 20:35

Pas kthimit për rigjykim nga Gjykata e Lartë e të ashtuquajturës “Banda e Mirditës”, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sërisht burgim të përjetshëm për njërin prej të pandehurve, Nikollë Syziun.

Prokurori Anton Martini numëroi akuzat për të pandehurin, mes të cilave edhe atë të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të policit Gjon Pacuku, plagosjes për shkak të cilësive të veçanta të dy policëve të tjerë gjatë një tentative grabitje në vitin 2000 në ish-SMT e Rrëshenit.

I pandehuri Nikollë Syziu, sapo dëgjoi pretencën, kërcënoi prokurorin e çështjes për fëmijët e tij: “Qoftë i madh Zoti te kalamajtë e tu, ta shof drejtësinë. Tjetër s’kam çtë të them unë ty”.

Ky kërcënim u prit nga batuta nga prokurori, i cili u përgjigj se nuk kishte frikë nga mallkimet e tij. Ndërkohë, nga katër të pandehurit e tjerë të bandës, Prokuroria lajmëroi se tërhiqet nga akuza e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të policit Pacuku dhe vrasjes së mbetur në tentativë për disa të tjerë. Megjithatë, atyre u adresohet akuza e grabitjes me armë dhe armëmbajtjes pa leje.

Konkretisht për dy vëllezërit e Syziut, Bardhok Syziu, u kërkuan 15 vjet heqje lirie dhe për Tom Syziun 14 vjet. Dënimi me 14 vjet heqje lirie u kërkua nga prokurori edhe për Tom Gjokën dhe Arjan Reçin, ndërsa për kushëririn e Dritan Syziu, çështja do të gjykohet e ndarë.

Top Channel