Bankat, vjen ligji që i shpëton nga kriza

08/11/2011 08:15

Banka e Shqipërisë kërkon të forcojë kontrollin te bankat e huaja që veprojnë në vendin tonë, si masë paraprake ndaj rreziqeve që mund të sjellë kriza financiare në rajon.

Disa ndryshime në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, kanë mbërritur këto ditë në Kuvend, ndërsa dje u zhvillua mbledhja në Komisionin e Ekonomisë për miratimin e draftit, por socialistët kërkuan më shumë kohë.

I pyetur nga “Shqip”, deputeti Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, tha se masa e re që po ndërmerret vjen në vazhdën e rregulloreve që BE-ja i ka adaptuar me kohë, tashmë në kushtet ekonomike të imponuara nga kriza financiare.

Dy janë ndryshimet kryesore: kthimi i bankës së huaj nga degë në filial, dhe krijimi i “bankës urë”, në rast se ndodhet në kushtet e falimentit.

Kthimi në filial

Në pikën e parë thuhet se banka e huaj, e cila ushtron veprimtari në territorin e Shqipërisë nëpërmjet degës së saj, në bazë të licencës së lëshuar nga Banka e Shqipërisë, mund të shndërrojë degën e saj në një filial, në formën e shoqërisë aksionere nëpërmjet regjistrimit të kapitalit të dhuruar në aksione të nënshkruara nga banka e huaj.

Projektligji sqaron edhe pjesën se kur lind nevoja për shndërrimin e bankës së huaj nga degë në filial. Më konkretisht, në pikën 2 të nenit 29 të ligjit, thuhet se shndërrimi i degës së bankës së huaj në filial/bankë vendase mund të ndodhë me kërkesë të vetë bankës së huaj ose kur gjykohet i nevojshëm nga banka e Shqipërisë për arsye të administrimit të riskut sistemik.

“Shndërrimi si më sipër i degës së huaj në filial/bankë vendase është i detyrueshëm kur gjykohet i nevojshëm me vendim të Bankës së Shqipërisë për arsye të administrimit të riskut sistemik”, thuhet në pikën e tretë, pra një tjetër atribut që i shtohet bankës tonë qendrore, në të mirë të sigurimit të sistemit financiar.

Në rastin e shndërrimit të degës së bankës së huaj në filial të bankës së huaj kapitali i filialit do të konsiderohet se është shumë algjebrike e elementeve të bilancit, të certifikuara nga eksperti kontabël, si: kapitali i dhuruar, i paguar, rezervat, diferenca e rivlerësimit, fitimet e pashpërndara dhe fitim-humbja e vitit ushtrimor.

“Banka urë”

Projektligji trajton të tjera ndryshime të rëndësishme, sa i takon sigurisë së bankave. Bëhet fjalë për procesin e shkrirjes së bankës dhe krijimin e një subjekti të ri, të quajtur “bankë urë” (koncept i ri për sistemin tonë, por i njohur në BE), e cila ushtron funksione të njëjta si bankat e tjera të nivelit të dytë, por që administrohet tërësisht nga Banka e Shqipërisë.

Ky ndryshim i paraprin ndonjë rreziku të mundshëm, por mbi të gjitha është detyrim i standardeve të reja të vendosura së fundmi nga Bashkimi Europian.

Aktualisht sistemi bankar është solid, me asete të mirëkapitalizuara dhe me një gjendje likuide të shëndoshë, fakt që dëshmohet nga të dhënat e fundit mbi sistemin e depozitave, të cilat kanë pësuar rritje të fortë sidomos në muajin korrik.

Top Channel